Ditën e sotme në Tiranë mbahet do të zhvillohet Samiti i Ballkanit Perëndimor, që mbledh në kryeqytetin shqiptar drejtuesit më të lartë të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës. Shqipëria do të jetë mikpritësja e samitit të radhës i cili zhvillohet në Pallatin e Brigadave.
Samiti do të drejtohet nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Ky Samit është shumë i rëndësishëm pasi vjen vetëm 2 javë para vendimit të pritshëm në Bruksel për nisjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Gjatë bisedave drejtuesit e 6 shteteve të Ballkanit perëndimor Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi do të diskutojnë për projektet në rajon të përfituara në kuadër të Procesit të Berlinit.
Pritet të firmosen marrëveshje të rëndësishme në sektorin ekonomik, siç pritet të jetë ajo e vendit tonë me Maqedoninë e Veriut për lehtësimin e kalimit të mallrave ose tregtisë në të gjitha pikat e kalimit doganar, me fokus të veçantë në Qafë-Thanë. Megjithatë, në këtë takim Shqipëria pritet të vijë me kërkesa specifike për BE-në, siç është edhe njohja reciproke e certifikave të gjelbërta të vaksinimit. Po ashtu, përshpejtimi i procedurave për uljen e tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së dhe lehtësimi i procedurave tregtare dhe të transportit me vendet kufitare anëtarë të Unioni.
Kujtojmë se vitin e kaluar, takimi i 6 liderëve te Ballkanit Perëndimor u zhvillua online por u njoh si Samiti i Sofjes dhe u zhvillua më 10 nëntor.
Në samitin e mbajtur në Sofje shtetet e Ballkanit Perëndimor, që ende nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, ranë dakord që të fuqizojnë marrëdhëniet mes tyre. Liderët e shteteve u pajtuan që të krijojnë treg të përbashkët rajonal dhe po ashtu të adoptojnë politikat e gjelbra.
Në deklaratën e përbashkët shkruhej se ky pajtim u arrit “për të rritur bashkëpunimin ekonomik në rajon, duke zhvilluar Tregun e Përbashkët Rajonal, bazuar në standardet dhe rregullat e Bashkimit Evropian, për të rritur atraktivitetin dhe konkurrencën e rajonit dhe për të sjellë rajonin më afër tregjeve të Bashkimit Evropian”.