Mbrojtësi holandez, Daley Blind, pranoi sot se ai e ka ende në mendje ndeshjen e Kupës së Botës 2014, në Brazil, në të cilën kombëtarja portokalli mundi Spanjën 5-1. Madje, ky triumf i ndryshoi jetën: “Shumë shpesh e shikoj fitoren 5-1 kundër Spanjës. Ajo ndeshje më ndryshoi jetën”.
Ajo disfatë ishte goditje e rëndë për “brezin e artë” të futbollit spanjoll, të udhëhequr nga Vicente del Bosque, i cili sapo kishte pasur tri kulme radhazi Europian-Botëror-Europian. Kundër Hollandës pësoi 5 gola, çka shënoi fundin e një periudhe historike të “La Roja”. Kjo ha kmarrje e Hollandës, finaliste në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut, që e fitoi Spanja, erdhi në fazën e grupeve, kështu që nuk i eliminoi automatikisht Iker Casillas, Xabi Alonso, Gerard Piqué, Sergio Ramos, Xavi Hernández dhe Andres Iniesta. Blind shpjegoi se ajo ndeshje dhe kontributi i tij në një nga golat më të bukur të turneut, ndihmuan në zgjimin e interesit të klubeve të mëdha karshi tij. Ishte vera në të cilën ai nënshkroi për Manchester United, një klub ku luajti deri në vitin 2018, pastaj u kthye tek Ajax, në Amsterdam:
“E gjithë bota na shikonte, emri im shkruhej kudo. Ajo ndeshje më lejoi të bëj një hap drejt Manchester United”. Po flasim për djalin e futbollistit historik të Ajax, Danny Blind, i cili fitoi Ligën e Kampionëve më 1995 së bashku me Frank Rijkaard, Clarence Seedorf, Patrick Kluivert dhe trajnerin aktual të Hollandës, Frank de Boer.
“Padyshim, vazhdoj me jetën time, por ajo fitore më ka mbetur ende në mendje”, – përfundoi Blind, i cili do të luajë në këtë Europian në moshën 31 vjeç.