Lulzim Basha me shumë mundësi do të rizgjidhet të dielën në krye të Partisë Demokratike. Por, pozitat e tij janë rëndëuar ndjeshëm, sidomos në marrëdhëniet me Sali Berishën. Nga një anë janë ndërkombëtarët që kërkojnë distancimin e tij nga Berisha, pas shpalljes “non grata” nga SHBA, nga ana tjetër është presioni i Berishës dhe familjes së tij, që t’iu dalë në mbrojtje dhe ta përdorë PD-në pikërisht për këtë qëllim.
Basha deri më tani, thjesht ka bërë sikur s’e ka pas mëndjen dhe nuk ka mbajtur asnjë qendrim të qartë. Kjo duket të jetë arsyeja, pse ai është bojkotuar nga mediat e rëndësishme, por dhe nga vetë Ambasada amerikane në Tiranë, para zgjedhjeve në Partinë Demokratike.
Para zgjedhjeve, ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka pritur me radhë në Ambasadë, kandidatët Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli, por edhe pse nuk është bërë publike, edhe Edith Harxhi tha të premten se është takuar me ambasadoren.
I vetmi me të cilin nuk është takuar Yuri Kim, është pikërisht Lulzim Basha. Një sinjal i qartë ky, që tregon se Basha e ka humbur besimin e SHBA, ku sipas Edith Harxhit, ai as udhëton do më. Por interesant është fakti edhe bojkoti që i kanë bërë mediat e rëndësishme ndërkombëtare, Lulzim Bashës. Dy prej më të rëndësishmeve, që kanë ndikim në Shqipëri, Zëri i Amerikës dhe Duetsche Welle, kanë marrë në intervistë me radhë Agron Shehajn, Fatbardh Kadillin dhe Edith Harxhin.
Edhe në këtë rast, i vetmi që nuk është thirrur për t’u intervistuar, ka qenë pikërisht Lulzim Basha. Ky i fundit është bunkerizuar në selinë e PD-së, me shpresë se gjithçka do të qetësohet pas rizgjedhjes si kryetar i Partisë Demokratike. Por një ditë do t’i duhet të dalë nga ai bunker dhe duhet të përballet me realitetin.
Sidomos në shtator, kur do të hyjë në Kuvend dhe do t’i duhet të përballet me vendimin e vështirë, nëse do e përjashtojë Sali Berishën nga grupi parlamentar, apo do heshtë edhe në këtë rast dhe do bëjë sikur s’ka ndodhur gjë, edhe pse ai është shpallur “non grata” nga SHBA./Tema