Nga Artur Ajazi

Të mendosh dhe kërkosh të futesh në Bashkimin Europian, me një klasë politike të molepsur, të akuzuar, të plakur nga pushtetmbajtja, dhe rrëqethjet e bëmave të saj, që deri sot veç ka penguar, është e pakuptimtë. Si mund të ecë Shqipëria drejt BE, me një pjesë të mirë të politikës që përshfaq destruktivitet, dhe del kundër çdo rryme, aksioni apo vendimi që lidhet me të ardhmen e vendit ?

Sot kjo pjesë e politikës e përfaqësuar kryesisht nga kryetarë partish parazitare, është mbërthyer keqazi në “kazani” i vjetër. Ti shkruash letër Sekretarit Blinke, dhe ti kërkosh atij “shkakun e shpalljes non-grata të Sali Berishës”, të dalësh hapur në krah të çdo personi të shpallur “i padëshirueshëm” nga SHBA dhe BE, të aderosh në lista emrat më të neveritshëm të 30 viteve tranzicion, natyrisht je mbërthyer keqazi nga “kazani” i vjetër. Në çdo vend ish-socialist, klasa politike e dikurshme jo vetëm ka dalë me kohë në pension politik, por shpesh ajo është bërë objekt hetimi në organet e drejtësisë.

Diçka anormale ka ndodhur dhe po ndodh vetëm tek ne. Kryetarë partish që kanë hyrë 35 vjeç në politikë dhe po i afrohen të 70-tave dhe as që mendojnë të largohen. Kryetarë partish që kanë zhvatur dhe zhvatin çdo vit miliona lekë nga taksapaguesit për “nevoja të brëndshme”, pa kryer asnjë punë, pa marrë asnjë votë dhe deputet, por thjesht duke u ngjitur partive të mëdha për të rrëmbyer ndonjë post ministri apo drejtori.

Klasa politike që vegjeton mbi destruktivitete, sot i ngjet një “kazani” të madh të mbushur me karavidhe, ku asnjëri prej tyre nuk mbush me vota as gjysmën e kutisë në ditën e zgjedhjeve. Këta kryetarë partish që me kohë nuk dihet se si janë deklaruar si “politikanë karriere”, vazhdojnë të mbajnë peng të ardhmen tonë. Të gjitha analizat për ecurinë e tranzicionit tek ne, arrijnë në përfundimin se “Shqipëria ka humbur shumë shanse, kohë dhe energji dhe se përgjegjës kryesorë janë elitat politike të korruptuara dhe konfliktuale që na kanë drejtuar.

Për shkak se sistemi pluralist krijoi parti të reja, në të cilat kryetarët u kthyen në “pronarë” të tyre, funksioni real konkurrues dhe zhvillues pothuajse nuk ekzistoi. Rrallë gjen një vend tjetër në Evropë si tek ne, ku të njëjtët politikanë që nisën tranzicionin vijojnë të jenë në politikën edhe pas 30 vitesh. Po ashtu rrallë , gjen vend tjetër në Europë ku politikanët që kanë më shumë se dy dekada e gjysëm në politikë nuk marrin asnjë përgjegjësi personale, duke u mbrojtur me “retorikën e fajësimit kolektiv”.

Në Shqipëri ka ardhur momenti të marrë fund tranzicioni, dhe procesi të nisë nga klasa e konsumuar politike, nga ata që deri sot e kanë mbajtur peng të ardhmen europianiste të këtij vendi, dhe që duan ti shpëtojnë ndëshkimit ligjor duke përzgjedhur si “engjëj mbrojtës” personazhe të “kazanit të vjetër”. Nostalgjia për politikën destruktive, ka qenë dhe mbetet “vaksina” më e mirë për të shpëtuar nga llogaridhënia, ata që deri sot e kanë trajtuar këtë vend siç kanë dashur.

Edi Rama ka një projekt të madh për vendin, dhe i duhet besuar. Ai është i vetmi politikan në Shqipëri, që mund të shkërrmoqë “kazanin e vjetër” dhe mbi gërrmadhat e tij të ngrejë gjeneratën e re, të përfaqësimit në familjen e madhe europiane.