Nga Adriatik Doci/ Kuvendi i Shqipërisë do të votojë nesër raportin e komisionit hetimor parlamentar, për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, me arsyetimin se me sjelljet, qëndrimet dhe angazhimin e tij në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ka shkelur të drejtat dhe liritë e njeriut, parimin e shtetit të së drejtës, ka provokuar incident diplomatik me SHBA, ka shkelur parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, ka uzurpuar kompetencat e institucioneve të tjera, nuk ka respektuar rendin juridik, është përfshirë në lojërat politike etj. Pas shkarkimit të pritshëm nga Kuvendi, vëmendja do të zhvendoset tek Gjykata Kushtetuese, e cila do të vendosë përfundimisht për shkarkimin ose jo të Ilir Metës si President.
Nëse Kuvendi e shkarkon nesër Ilir Metën, ky është precedenti i parë për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, e cila duhet të konfirmojnë ose rrëzojë vendimin e Parlamentit. Por, në botën demokratike dhe sidomos në Evropë, ka precedentë të larmishëm të shkarkimit të presidentëve nga Gjykata Kushtetuese, për sjellje dhe veprime të ngjashme me ato të Ilir Metës. Precedentët reflektohen në raportin për shkarkimin e Metës, raport i cili pritet të jetë një bazë e fortë edhe për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e Koresë, në vitin 2004, konstatoi shkeljen nga ana e Presidentit për të ruajtur neutralitetin në lidhje me zgjedhjet, për shkak të deklaratave të tij të njëanshme duke mbështetur një parti të caktuar politike, ashtu siç edhe veproi hapur Ilir Meta gjatë zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
LEXO EDHE:
Kuvendi la jashtë gazetarët, Meta: I papranueshëm, praktikë si e Lukashenkos! Po dëmtohet integrimi në BE! Mediat paralajmërojnë protestë
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Koresë thuhet se “Kështu, nëse Presidenti bën një deklaratë në mënyrë të njëanshme duke mbështetur një parti të caktuar politike dhe ndikon në procesin me të cilin publiku formon mendimet e tij, Presidenti ndërhyn dhe shtrembëron procesin e formimit të pavarur të opinioneve të publikut bazuar në një vlerësim të drejtë të politikës së partisë dhe kandidatëve. Kjo, në të njëjtën kohë, zvogëlon për gjysmë kuptimin e aktiviteteve politike të bëra vazhdimisht nga partitë politike dhe kandidatët në vitet e fundit për të marrë besimin e publikut, dhe në këtë mënyrë zhvlerëson rëndë parimin e demokracisë parlamentare. Një fushatë elektorale në një vend demokratik është një garë e lirë dhe e hapur për partitë e shumta dhe kandidatët, me qëllim për të marrë pushtet politik, për të kërkuar një votë, duke theksuar aktivitetet e tyre politike dhe arritjet gjatë së kaluarës dhe duke bindur votuesit për legjitimitetin të politikës që ata ndjekin. Një marrëdhënie e tillë e konkurrencës së lirë midis partive politike për të marrë votat përmes gjykimit të votuesve mbi politikat dhe aktivitetet politike është shtrembëruar në mënyrë të konsiderueshme nga ndërhyrja e njëanshme e Presidentit që mbështet një parti të caktuar. Pjesa përkatëse e deklaratave të Presidentit në fjalë në mënyrë të përsëritur dhe aktive shpreh mbështetjen e tij për një parti të caktuar politike gjatë kryerjes së detyrave të tij zyrtare dhe më tej i bëri thirrje drejtpërdrejt publikut për mbështetjen e asaj partie të veçantë politike. Prandaj, përfitimi i Presidentit nga pesha dhe ndikimi i tij politik i dhënë në zyrën e tij publike përmes deklaratave të mësipërme që favorizojnë një parti të caktuar politike, përmes identifikimit të tij me një parti të tillë politike, ishte një ushtrim i ndikimit të padrejtë në një mënyrë jo të përshtatshme për të si dhe për të gjithë publikun, duke përdorur statusin e tij si institucion shtetëror. Presidenti shkeli detyrimin e tij për të mbajtur neutralitetin në lidhje me zgjedhjet”.
Në 31 mars të vitit 2004, Gjykata Kushtetuese e Lituanisë ka theksuar se Presidenti duhet të respektojë betimin për zbatimin e Kushtetutës. Në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese e Lituanisë thekson se një shkelje e betimit është, së bashku, me një shkelje të rëndë të Kushtetutës, ndërsa një shkelje e rëndë e Kushtetutës është, së bashku, me një shkelje të betimit.
“…Betimi i Presidentit të zgjedhur të Republikës pasqyron vlerat kryesore të ngulitura në Kushtetutë, të cilat janë të lidhura nga Kombi me zyrën e Presidentit të Republikës; këto vlera janë të pandara nga njëra-tjetra, Presidenti i Republikës, ndërsa është në detyrë, nuk mund të devijojë nga vlerat universale kushtetuese të ngulitura në betimin e Presidentit të Republikës, të cilat janë më të rëndësishmet për Kombin. Në vendimin e saj të datës 30 dhjetor 2003, Gjykata Kushtetuese vendosi që nga momenti i dhënies së betimit i lind një detyrë Presidentit të Republikës të veprojë vetëm ashtu siç e detyron betimin e bërë Kombit, dhe se një shkelje e betimit është një nga arsyet sipas të cilave Presidenti i Republikës mund të hiqet nga detyra në përputhje me procedurën e shkarkimit…”.
Sipas Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur detyrimet kushtetuese që përcaktohen në nenin 86, paragrafi i parë, nenin 89 dhe nenin 94 të Kushtetutës, Ilir Meta ka shkelur njëkohësisht edhe betimin. Kur filloi detyrën Meta bëri betimin para Kuvendit: “Betohem se do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar”. Presidenti mund të shtojë edhe “Zoti më ndihmoftë!”.
Në vitin 2010, për kufijtë e sjelljes së Presidentit, është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Bëhet fjalë për çështjen e 31 deputetëve kundër Fatmir Sejdinit, i cili mbante njëkohësisht t postin e presidentit të Republikës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vendimin e gjykatës thuhet se presidenti nuk mund të përfaqësojë interesin e një partie politike, siç përfaqësoi hapur Ilir Meta interesin e LSI, ndonëse kishte dhënë dorëheqjen si kryetar i saj.
Ndër të tjera, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka theksuar se “Duke pasur parasysh kompetencat e konsiderueshme të dhëna në bazë të Kushtetutës, është e arsyeshme që publiku të presupozojë se Presidenti i tyre, që “përfaqëson unitetin e popullit” dhe jo një fragment ose interes politik partiak, do të përfaqësojë të gjithë ata. Çdo qytetar i Republikës gëzon të drejtën që të sigurohet nga paanshmëria, integriteti dhe pavarësia e Presidentit”.
Sipas Kuvendit, Ilir Meta shkeli asnjanësisë si kreu i shtetit duke u përfshirë në fushatë zgjedhore me rol aktiv kundër maxhorancës që përfaqësohej nga Partia Socialiste, garuese në zgjedhjet e 25 prillit 2021. “Me këto qëndrime, Presidenti humbi dhe funksionin e të qenit një faktor ekuilibri në jetën politike të vendit. Këto qëndrime jo asnjanëse dhe paekuilibruara të Presidentit, u vunë re dhe u referuan edhe në raportet përkatëse të OSBE/ODHIR dhe Koalicionit të Vëzhguesve Vendore”, thuhet në raport.