Presidenti Joe Biden zbarkoi në Evropë të mërkurën në udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit si udhëheqës i Shteteve të Bashkuara, i vendosur për të zhvilluar bisedime të nivelit të lartë me krerët e tjerë të shteteve perëndimore përpara takimit javën e ardhshme me Presidentin rus Vladimir Putin në një samit në Gjenevë. Ndalesa e parë ishte në RAF Mildenhall në Mbretërinë e Bashkuar, ku ai iu drejtua forcave amerikane. “Për të gjithë ju aviatorë dhe ushtarë, unë dua t’ju them, faleminderit. Ne ju detyrohemi. Ne jemi kaq shumë krenarë për ju”, tha Presidenti Biden.
Ai gjithashtu i drejtoi një mesazh të fortë Presidentit rus Vladimir Putin, të cilin do ta takojë më vonë gjatë udhëtimit. “Unë kam qenë i qartë – Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen në një mënyrë të fuqishme dhe kuptimplote kur qeveria ruse të përfshihet në veprimtari të dëmshme”, tha Presidenti Biden.
Presidenti gjithashtu tha se ai do të sigurojë aleatët për rolin e Shteteve të Bashkuara në botë. “Në çdo hap, ne do t’i bëjmë të njohur të gjithëve se Shtetet e Bashkuara janë rikthyer”, tha ai.
Ndërsa hipte në Air Force One për t’u larguar nga Uashingtoni, Presidenti Biden tha se qëllimet e tij për udhëtimin ishin forcimi i lidhjeve me aleatët, duke “ia bërë të qartë Putinit dhe Kinës se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të ngushta”.
Presidenti Biden gjithashtu tha se ai do të shpallte një strategji të re për vaksinimin e botës kundër pandemisë së koronavirusit. Gazetat më vonë raportuan se Shtetet e Bashkuara do të blejnë 500 milionë doza të tjera të vaksinës Pfizer COVID-19 për të dhuruar në 92 vende me të ardhura më të ulëta dhe Bashkimin Afrikan gjatë vitit të ardhshëm. Shtetet e Bashkuara kanë vaksinuar më shumë se gjysmën e popullsisë së saj në moshë madhore, por vendet e varfëra janë shumë larg këtij niveli të vaksinimit.
Plani amerikan parashikon dhurimin e 200 milionë dozave – të mjaftueshme për të vaksinuar plotësisht 100 milionë njerëz – deri në fund të këtij viti, me pjesën e mbetur që do të dërgohet në gjysmën e parë të vitit 2022. Ndërsa presidenti u nis për në Britani, Shtëpia e Bardhë tha se udhëtimi “do të nxjerrë në pah angazhimin e Amerikës për të bashkuar demokracitë e botës, së toku për të hartuar rregullat e rrugëtimit për shekullin e 21-të, për të mbrojtur vlerat tona dhe për të trajtuar sfidat më të mëdha të botës”.
Presidenti Biden do të zhvillojë bisedime të enjten me Kryeministrin britanik Boris Johnson, përpara se të marrë pjesë në samitin e grupit G-7 të kombeve kryesore të industrializuara në Cornwall, Britani, nga e premtja deri të dielën.
Ai dhe zonja e parë Jill Biden do takohen gjithashtu të dielën me Mbretëreshën Elizabeth II në Kështjellën Windsor përpara se të nisen për një samit të NATO-s në Bruksel të hënën.
Në kryeqytetin belg, Presidenti Biden do të zhvillojë bisedime të ndara me Kryeministrin turk Rexhep Tajip Erdogan, një aleat i NATO-s që ka zemëruar Uashingtonin nga qëndrimi i tij i vetëm pro blerjes së një sistemi të mbrojtjes ajrore të prodhuar nga Rusia që është i papajtueshëm me atë të NATO-s.
Të martën, Presidenti Biden takohet me mbretin belg Philippe dhe Kryeministrin Alexander De Croo, si dhe merr pjesë në një samit SHBA-BE.
Në Gjenevë të mërkurën, Presidenti Biden takohet me Presidentin e Konfederatës Zvicerane Guy Parmelin, përpara se të ulet për takimin potencialisht të diskutueshëm me Putinin – hera e parë që të dy udhëheqësit janë takuar ballë për ballë që nga koha kur zoti Biden u bë president.
Gjatë gjithë udhëtimit të tij, Presidenti Biden tha se shpreson të paraqesë një pikëpamje të ndryshme amerikane nga ajo e ish-Presidentit Donald Trump, i cili shpesh pretendonte se aleatët e NATO-s përgjithësisht nuk po kontribuojnë pjesën e tyre të drejtë për të mbështetur aleancën ushtarake perëndimore të krijuar shtatë dekada më parë.
Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden do të “afirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për NATO-n, sigurinë transatlantike dhe mbrojtjen kolektive”.
Në samitin e G-7ës, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden “do të përforcojë angazhimin tonë për multilateralizëm, do të punojë për të avancuar përparësitë kryesore të politikës amerikane për shëndetin publik, rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen përfshirëse dhe të demonstrojë solidaritet dhe vlera të përbashkëta mes demokracive kryesore”.
Takimi me Putinin- Marrëdhëniet e Presidentit Biden me Presidentin rus Putin janë tashmë të tensionuara. Ish-Presidenti Trump e konsideroi Putinin të pafajshëm për akuzat se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 për të ndihmuar fitoren e zotit Trump në zgjedhje.
Në të kundërt, Presidenti Biden, në bisedat e hershme telefonike me Putinin, i ka thënë drejtpërdrejt udhëheqësit rus se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Kremlinin përgjegjës për ndërhyrjet në zgjedhje, për një sulm masiv kibernetik ndaj agjencive qeveritare amerikane dhe helmimin e kundërshtarit të Putinit, Alexey Navalny-in. Secili vend ka dëbuar disa nga diplomatët e tjetrit, nga Moska dhe Uashingtoni. Në një intervistë televizive, Presidenti Biden gjithashtu tha se ai e konsideronte Putinin një “vrasës”, një pretendim që Putini shpejt e ktheu kundër Shteteve të Bashkuara duke përmendur vrasjet e indianëve të Amerikës gjatë zgjerimit të vendit përgjatë shekullit të 18-të dhe abuzimin vdekjeprurës të pakicave gjatë gjithë historisë së tij./ VOA