Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të hënë me pamjet nga lagjia e re “Rilindja” në Fushë-Krujë e rindërtuar pas dëmtimeve nga tërmeti. “Mirëmëngjes dhe me lagjen e re Rilindja në Fushë Krujë, ju uroj një javë të mbarë”, ka shkruar kreu i qeverisë. Në pamjet e publikuara nga Rama duket se shtëpitë individuale janë në prag të përfundimit të punimeve, ndërkohë që disa godina janë ende në ndërtim e sipër. Lagja e re në Fushë-Krujë po ndërtohet në një sipërfaqe prej 10 hektarësh dhe në një largësi prej 1 kilometri nga qendra e Fushë-Krujës. Atje do të ndërtohen banesat individuale dhe apartamentet.
Në zonën e re për rindërtim e përcaktuar në Fushë Krujë, parashikohet strehimi për 218 familje nga të cilat 91 familje në banesa kolektive dhe 147 familje në banesa individuale. Kryeministri Rama e ka quajtur më herët këtë lagje si një zonë cilësore rezidenciale për familjet e dëmtuara nga tërmeti.