Vijon rregullisht, edhe në këto ditë të nxehta të verës shpërndarja e karburantit falas për plot 20 mijë fermerë përfitues nga skema e posaçme në përfitim të fermerëve. E shpallur në tetor 2020, thirrja për aplikim qëndroi e hapur deri në shkurt 2021 për të gjithë fermerët që kanë në pronësi më tepër se 4 dynym tokë bujqësore. E hartuar për të mbështetur mekanizimin e mëtejshëm të bujqësisë, duke nxitur prodhimin vendas dhe eksportet, skema u aprovua pas aplikimit të shpejtë në e-Albania me vetëm certifikatën e pronësisë apo dokumentin e marrjes me qera të truallit për pothuajse 20 mijë fermerë aplikues.

Në total, janë 56 mijë hektarë tokë bujqësore, ku shteti vjen në ndihmë me karburantin falas. I pranishëm në një event dedikuar kësaj skeme, Kryeministri Rama zbuloi ditën e sotme se në total janë 4.1 milionë litra naftë që po shpërndahen tek përfituesit. Aktualisht janë shpërndarë 1.7 milionë litra naftë ose 40% e totalit. Përfituesit janë pajisur me karta të posaçme dhe mund të tërheqin sasinë që u përket deri në fund të muajit nëntor. Skema e karburantit falas subvencionon fermerët për sasinë e kultivuar të tokës, pavarësisht shkallës së mekanizimit të përdorur për kultivimin.

Ajo funksionon përmes një koefiçenti të caktuar për çdo produkt bujqësor, nga i cili del sasia që shpenzohet mesatarisht për tokën në dispozicion. Sasia në total zhvishet nga akciza, taksa e qarkullimit dhe e karbonit, duke zbritur efektivisht çmimin 80 Lek/litri. Në fund, fermeri rimbursohet për blerjen fillestare, duke përfituar sasinë përkatëse falas ku mund të furnizojë çdo mjet që ai dëshiron.

Një skemë e tillë, në vend të parave në dorë apo tollonave për karburant konsiderohet më efikase në shmangien e abuzimeve dhe devijimin e karburantit nga qëllimi parësor i tij nga Ministria e Bujqësisë.