Shqipëria bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, duke siguruar një prej arritjeve më të mëdha në diplomacinë ndërkombëtare nga ana e shtetit tonë. Ajo mori 175 vota nga 190 vende në OKB që morën pjesë në votim. Në Neë York, u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe u votua për 5 shtetet e reja të cilat do të jenë anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023
Shqipëria ishte kandidaturë e Evropës Lindore dhe është kandidaturë konsensuale e vetme e këtij rajoni, (Evropës Lindore, pjesë e së cilës është dhe Rusia). Sakaq janë dhe 4 kandidatura nga grupe të tjera, Gana, Gaboni, Brazili, Emiratet e Bashkuara.
E pranishme ishte edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila votoi si përfaqësuesja më e lartë e Shqipërisë në Asamble të OKB-së.
Ditën e djeshme Xhaçka është pritur nga përfaqësuesit e përhershëm të 5 vendeve anëtare me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, me përfaqësuesit e përhershëm të atyre vendeve që për dy vitet e ardhshme do shërbejnë në Këshill së bashku me Shqipërinë, si dhe me një numër përfaqësuesish të përhershëm të vendeve të tjera.
Ministrja Xhaçka ka njoftuar bashkëbiseduesit se Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të drejtat e njeriut, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm, ndryshimet e klimës dhe ndikimi negativ në çështjet e sigurisë, si dhe metodat e punës të Këshillit të Sigurimit do jenë prioritetet kryesore të punës së Shqipërisë, që reflektojnë dhe prioritetet e OKB-së.
Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 65 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë. Vendi ynë paraqitet në këto zgjedhje si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore dhe e mbështet këtë kandidaturë në 5 prioritetet kryesore:
– Respektimi i të drejtave të gruas, si kontribut për paqe dhe siguri të qëndrueshme;
-Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i ligjit ndërkombëtar;
-Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit;
-Ndryshimet e klimës dhe lidhjet e tyre me rreziqet ndaj sigurisë globale;
-Metodat e punës të Këshillit të Sigurimit
Duke qenë kandidaturë e vetme Shqipëria ecën e sigurt drejt zgjedhjes dhe marrjes së konfirmimit, kur i duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare.
Ambicien për të qenë pjesë e Këshillit të Sigurimit Shqipëria e ka shfaqur që në shtator të vitit 2018. Pas Presidencës së OSBE-së, kjo do të ishte një arritje edhe më e madhe. Nëse konfirmohet më 11 qershor, Shqipëria e merr mandatin në janar të vitit 2022.
Çfarë është Këshilli i Sigurimit?
Këshilli i Sigurimit në OKB është ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve. Vendimet e këtij organi quhen rezoluta dhe janë të obligueshme. Këshilli i Sigurimit ka pasur takimin e parë në janar 1946. KS mund të përdorë edhe forcën në konflikte të armatosura, por të gjitha shtetet permanente duhet të jenë dakord. Ka dy lloje shtetesh në Këshillin e Sigurimit: 5 shtete anëtare të përhershme dhe 10 shtete të zgjedhura. ShBA, Franca, Britania e Madhe, Kina dhe Rusia janë shtetet anëtare të përhershme. 10 shtetet e zgjedhura kanë ulëse në KS për një mandat 2-vjeçar. Një nga këto 10 shtete duhet të jetë nga Evropa Lindore, pjesë e së cilës është edhe Kosova dhe Shqipëria sipas OKB-së.
Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë në garë, pa konkurrentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Por për t’u zgjedhur, secila prej tyre duhet të sigurojë dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Votimi është i fshehtë. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.
Zakonisht shtetet e shpallin kandidaturën e tyre për Këshillin e Sigurimit vite më parë. Por ndodh që ka edhe vende që konkurrojnë në momentet e fundit. Këtë vit, Republika Demokratike e Kongos vendosi muajin e kaluar të vinte kandidaturën, duke vënë në dyshim anëtarësimin pothuajse të sigurtë për dy shtetet e tjera afrikane, Gabonin dhe Ganën. Megjithatë këtë javë, njoftimet nga Afrika vinin në dukje se Presidenti i Republikës Demokratike të Kongos, Felix Tshisekedi ka vendosur ta tërheqë kandidaturën. Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione.