Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka uruar Presidentin e Asamblesë Kombëtare, Richard Ferrand në kuadër të Festës Kombëtare të Francës.

Në letrën drejtuar Ferrand, kreu i Kuvendit vlerëson marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës, duke e konsideruar këtë të fundit një mike dhe partnere të rëndësishme të vendit tonë në NATO, në rrugën drejt Bashkimit Europian, konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Ndër të tjera ka falenderuar Asamblenë Kombëtare të Francës për mbështetjen ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë.

Pjesë nga letra:

Me rastin e 14 korrikut, Festës së Republikës Franceze, ju dërgoj urimet e përzemërta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht.

Revolucioni francez është ngjarje madhore, jo vetëm në historinë e Francës, por për historinë botërore.

Revolucioni francez i ktheu zhvillimet botërore drejt lirisë dhe të drejtave qytetare dhe e bëri Francën një vend model për të gjithë popujt dhe qytetarët që aspirojnë për liri, barazi, drejtësi shoqërore, demokraci, silidaritet dhe paqe.

Demokracia, liritë dhe të drejtat janë legacia e rëndësishme e revolucionit francez, i cili i shpalli ato të shenjta.

Demokracia franceze është një libër i hapur për të gjithë popujt që aspirojnë dhe luftojnë për demokraci, liri dhe të drejta qytetare.

Franca është një mike dhe partnere e rëndësishme e Shqipërisë në NATO, në rrugën drejt Bashkimit Europian, konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Përfitoj nga ky rast që, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, të falenderoj Asamblenë Kombëtare të Francës dhe ju personalisht për mbështetjen ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë, fillimit sa më shpejt të negociatave dhe mbajtjes së Tryezës së Parë Ndërqeveritare.