Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një postim në rrjetet sociale ka akuzuar qeverinë se duke filluar nga dita e sotme do të nisë “gjoba” ndaj bizneseve të vogla me anë të fiskalizimit. Sipas saj kushdo që të shesë edhe diçka të vogël, do të duhet të kërkojë lejen e qeverisë përmes një programi që do t’i kushtojë deri në 2000 euro ne vit.
Por Tabakut i është kundërvënë biznesmeni Endri Meksi, i cili thotë se ajo po dezinformon publikun. Sipas tij, asnjë nga shoqëritë e reja që janë autorizuar për fiskalizimin nuk ka çmim 2000 euro në vit. Ai akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Financave Ridvan Bode, duke thënë se çmimet më të larta i kanë shoqëritë e kasave të tyre dhe 2 nga shoqëritë e kontabilitetit, Financa 5 dhe Alpha.
“Gjithashtu ai hedh akuza edhe për një nga firmat që ka përfituar nga tenderi i fiskalizimeve gjatë qeverisë Berisha, duke thënë se ka qenë e lidhur me Sahit Dollapin, numrin 3 të Partisë Demokrative, që sipas tij ka përfituar 1.4 miliard lekë nga konsulenca juridike.
“Tek tenderi i fiskalizimit ke disa zëra shpenzimesh, rreth 1.4 miliardë lek për konsulencën juridike. Tani, një ndër firmat aty ka qenë e lidhur me zotin Sahit Dollapi (me letra e jo me lloqe), dhe ndoshta znj Tabaku mund të dijë diçka më shumë se koleg e ka patur, madje numrin 3 të partisë”, shkruan ai teksa i kthen përgjigje një komenti nga një qytetare.