Ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur të mbijetuar të përmbytjeve që kanë shkaktuar kaos në Evropën perëndimore duke vrarë më shumë se 150 persona.

Qindra të tjerë janë ende të zhdukur pasi reshje rekord shiu shkaktuan përmbytje në gjermani dhe belgjikë. Shira të rrëmbyeshëm goditën po ashtu edhe Zvicrën, Luksemburgun dhe Holandën, ku kryeministri Mark Rutte ka shpallur gjendjen e katastrofës në një nga provincat jugore.

Në gjermani, ku numri i viktimave është mbi 100, presidenti Frank Valter Steinmeier tha se ai ishte i shokuar nga shkatërrimi ndërsa vizitoi rajonin e prekur nga përmbytjet.

“Qyteza të tëra janë shënjuar nga kjo katastrofë. Shumë njerëz kanë humbur gjithcka që kanë mundur të ndërtojnë gjatë gjithë jetës së tyre.”

Ekipet e shpëtimit në gjermani e patën të vështirë punën për shkak të kushteve të vështira, të premten, duke i lënë të afërmit e të zhdukurve të prisnin në ankth. Rrjetet e telefonisë janë ndërprerë, rrugët janë dëmtuar dhe më shumë se 100 mijë shtëpi janë pa energji elektrike.

Ndërsa në Belgjikë, ushtria është dërguar në katër nga 10 rajonet e vendit për të ndihmuar përpjekjet e shpëtimit dhe evakuimit. Kryeministri belg e shpalli 20 korrikun ditë zie kombëtare dhe tha se përmbytjet, që kanë marrë të paktën 20 jetë njerëzish në vend, mund të jenë më katastrofiket që Belgjika ka parë në historinë e saj. Punonjës të emergjencave nga Franca, Italia dhe Austria janë dërguar në qytetin e Liezhit ku banorët janë evakuuar pas përmbytjeve. Ndërsa në Holandë, mijëra njerëz janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre në Limburg ndërsa ujërat pushtuan qytetet dhe thyen një digë. Në Zvicër, liqenet dhe lumenjtë po ashtu u tejfrynë dhe lumi që përshkon mes për mes kryeqytetin Bernë, doli nga shtrati të premten.