Nga Skënder Minxhozi/ Ka raste kur në një vizitë nga larg, mesazhi të mos jetë i fshehur në atë që thuhet, por në atë që nuk thuhet ose që nuk ndodh fare. Ardhja në Tiranë e diplomatit të lartë amerikan Filip Riker vinte pak ditë pasi kryeministri Rama pati shtrënguar duart me shefin e tij, sekretarin e shtetit Blinken. Si e tillë ajo kishte pak për të thënë. Që nga dita që ishte lajmëruar, misioni i Riker pritej me më shumë interes për ata me të cilët nuk do të shtrëngonte duart, sesa për të tjerët që do e takonin. Në këtë rast “lista e zezë” amerikane ishte shumë e shkurtër, përmbante vetëm një emër: Presidentin e Republikës Ilir Meta. Berisha siç dihet është “non grata”, pra nuk është fare në radarin amerikan!

Jo vetëm që diplomati nga Uashingtoni nuk e takoi kreun tonë të shtetit, por ironizoi publikisht edhe përmes njoftimit zyrtar të ambasadës, rreth kësaj “vrime” në programin e vizitës. Një zëdhënës i ambasadës amerikane u kujdes që moshtrëngimi i duarve me Metën të merrte të gjithë vëmendjen e duhur, kur deklaroi se “për arsye të ndërtimit të axhendës, këtë herë nuk ishte i mundur një takim me presidentin Meta”. Kushdo që e di se axhenda e takimeve të zyrtari amerikan që viziton Tiranën, është një materie e hapur dhe krejt elastike, që merr formën dhe përmasat e dëshirave të tij për t’u takuar me përfaqësuesit që piketon.

Afërmendsh që Ilir Meta do ta kishte pritur megjithë dëshirë Filip Riker në zyrë. Ka qenë ky i fundit që e ka evituar dhe që më pas ka fajësuar axhendën për takimin e munguar me kryetarin e shtetit shqiptar. Hakmarrja është një gjellë që konsumohet e ftohtë, thotë proverbi. Zëdhënësi i Presidenti e bëri edhe më flagrante situatën, kur pohoi se askush s’ka kërkuar takim me Presidentin e Republikës. Pra, Riker as e ka marrë mundimin të kërkojë takim në Presidencë, e kjo flet më shumë se dhjetë takime të marra së bashku!

Është e qartë se amerikanët i kanë kthyer monedhën Metës në shtëpinë e tij, për deklarimet e ashpra dhe kërcënimet patetike që ai bëri publikisht ndaj SHBA gjatë fushatës së fundit elektorale. Nuk është e rastit që refuzimi për të shkelur në zyrën e presidentit lidhet edhe me rreshtimin e hapur pro Berishës që Meta afishoi pas shpalljes së ish-kryetarit të PD “non grata” nga sekretari amerikan i shtetit Blinken. Më në fund është gjithashtu jo e rastësishme që Filip Riker gjeti kohë që të takojë gjyqtarë e prokurorë të sapozgjedhur në sistem, si dhe ministrat e drejtësisë e të mbrojtjes.

Brenda një harku prej disa orësh, Riker u kujdes të prekë dhe të afishojë publikisht të gjitha prioritetet amerikane për Shqipërinë. Të cilat kalojnë përmes fushave të sigurisë, luftës kundër korrupsionit dhe startimit të drejtësisë së re. Ai gjithashtu identifikoi direkt ose indirekt se cilët persona të pushtetshëm shihen si problematikë nga administrata amerikane, e këtu nuk përbën më lajm se si e tillë shihet dyshja Berisha-Meta. Takimet me Ramën dhe Bashën janë një mesazh i hapur se me cilat zyra dhe figura politike duan të punojnë këtej e tutje amerikanët. Ashtu siç janë një vënie e hapur e kreut të opozitës në pozitën e vështirë, nga shtatori e tutje, që të pajtojë linjën proamerikane të PD, me gjyqet folklorike të deputetit Berisha kundër Amerikës.