Nga Mero Baze

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar kufizimin që ka renditja e deputetëve në listë pas rezultatit të zgjedhjeve, që bënte të vlefshme listat e hapura, vetëm pasi një deputet kishte marrë mbi dhjetë mijë vota, ose sa herësi që dilte për deputet në atë Qark.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese bazohej në parimin e shprehur në Kushtetutë se listat janë të hapura, duke mbrojtur vetëm 30 për qind të listës për kuota gjinore.

Bindja Demokratike, e cila paditi në Gjykatë Kushtetuese ndryshimin në Kod Elektoral më 30 korrik të vitit 2020, e fitoi këtë betejë nën heshtjen “solemne” të dy partive të mëdha, Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, të cilat nuk kanë reaguar ndaj vendimit.

Vendimi në të vërtetë ka nevojë për një përgjigje institucionale, i cili ose duhet të respektohet, duke nxitur votimin digjital, që shmang kaosin në votime, ose të nxisë një marrëveshje të re mes partive për ndryshime në Kodin Elektoral, që nuk kanë lidhje më me këtë sistem.

Zgjidhja e parë është më logjike. Në kushtet e krijuara, kur listat do të jenë të hapura dhe merr rëndësi vota për çdo deputet, jo vetëm për ata që kalojnë herësin, do të ishte shpëtimtare digjitalizimi i procesit të votimit dhe numërimit, siç u bë kësaj here në njësinë 10 në Tiranë.

Votimi digjital shmang votat e pavlershme, bën automatikisht renditjen e deputetëve dhe nxjerr me saktësi rezultatin në kohë record, duke shmangur tensionet e panevojshme pas votimit.

Në orën 8 të mbrëmjes, Shqipëria ka rezultatin dhe listën e deputetëve sipas rezultatit të listës së hapur. Sado i kushtueshëm të jetë ai sistem, është më i lirë se çdo infrastrukturë e stërmadhe zgjedhore, me një ushtri numëruesish, komisioneresh dhe vëzhguesish. Është një revolucion që në fakt e mbështet me teknologji sistemin e listave të hapura.

Problemi që politika do të ketë me këtë sistem, është futja e elementëve kriminalë “popullorë” në lista, të cilët mund të fitojnë vota shumë më tepër se njerëz korrektë dhe të panjohur që hyjnë në garë.

Kjo bën të domosdoshme “vetingun” në politikë, dhe skualifikimin e tyre nga kritere të rrepta ligjore para garës.

Nëse listat e hapura nuk shoqëroren me teknologjinë e votimit digjital dhe vetingun e kandidatëve paraprakisht, ai në vend të progresit, do të shkaktojë regres në politikë.

Versioni i dytë, ai i shmangies së këtij ndryshimi kushtetues përmes një marrëveshje të re mes PS e PD, që të ndryshojë sistemin që nuk ka nevojë për lista të hapura, është një kosto e rëndë për Partinë Socialiste, pasi ajo do të duhet të humbasë në këtë betejë, disa fitore që i arriti me ndryshimet e 30 korrikut, mes të cilave heqjen e listave të përbëra në koalicionet parazgjedhore.

Ndaj socialistëve iu bie më mirë të fuqizojnë teknologjinë e zgjedhjeve dhe të forcojnë vetingun e kandidatëve, se sa të shkojnë drejt një pazari me PD për të “shpëtuar’ nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.