Bashkia e Tiranës do të mbështesë financiarisht përfaqësuesit e ekipit shqiptar në Lojërat Olimpike “Tokyo 2021”.

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar një fond prej 9,470,500 lekë, si mbështetje financiare për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të sportistëve tanë elitarë, si shtesë buxheti i Klubit Sportiv “Tirana”.

Sportistë olimpistë si Briken Calja, Luiza Gega, Izmir Smajlaj, Erkand Qerimaj, Indrit Cullhaj, Matvei Petrov, Manuela Delilaj, Nikol Merizaj dhe Kledi Kadiu prej kohësh po zhvillojnë përgatitjet dhe po stërviten për eventin më të madh sportiv, i cili për shkak të pandemisë së Covid 19 u shty për këtë vit.

Bashkia e Tiranës premton se do të financojë grumbullimin e ekipit Olimpik 40 ditë para Lojërave Olimpike, udhëtimin drejt Tokios, Japoni dhe stërvitjen e tyre për këtë event të rëndësishëm sportiv.