Kryeministri Edi Rama me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu kanë inspektuar qendrën e re shëndetësore në Dimal, e rindërtuar në kuadër të programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, ku ka nisur sot, si në të gjithë vendin, java e hapur e vaksinimit masiv për çdo qytetar mbi 18 vjeç.
“Nga sot ne kemi filluar javën e hapur të vaksinimit për grupmoshën +18 vjeç. Aktualisht ka filluar në të gjithë Shqipërinë, në të gjitha qendrat shëndetësore dhe pikat e vaksinimit të përqëndruar”, tha Manastirliu, duke ftuar të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç që të vaksinohen.
Duke theksuar faktin se në Europë po shihet një rritje e rasteve edhe për shkak të variantit Delta, Manastirliu tha se arma më e fuqishme është vaksinimi, ndaj ky proces në Shqipëri do të vazhdojë edhe përmes njësive të lëvizshme.
“Nëpërmjet njësive të lëvizshme kemi mundësuar që të rrisim ritmet e vaksinimit, duke arritur në 1 milion e 67 mijë vaksinime të kryera, ku më shumë se 460 mijë qytetarë janë vaksinuar plotësisht. E ndërkohë që vijojmë me dozat e dyta për rreth 600 mijë të tjerë”, tha Manastirliu.
Kryeministri Edi Rama apeloi qytetarët që të vaksinohen sa më parë.
“Vaksinimi nuk e bën 100% të paprekshëm individin nga virusi, por e bën virusin shumë më të dobët përballë individit dhe e vërteta është që në ato raste kur preket një i vaksinuar, shanset e shkuarjes në spital janë zero dhe simptomat janë të administrueshme përgjithësisht pa dhimbje dhe vuajtje, prandaj është shumë e rëndësishme që për t’u mbrojur dhe nga varianti i ri, të vaksinohemi, të vaksinohemi, të vaksinohemi”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.
Prej fillimit të procesit të vaksinimit janë kryer në total 1,069,365 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 466,905 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.
Ditën e sotme nis java e vaksinimit të hapur për moshën +18 vjeç. Të gjithë qyetetarët mund të paraqiten me kartën e identitetit në qendrën shëndetësore ose në qendrën më të afërt të vaksinimit, përgjatë gjithë javës, nga mëngjesi deri në 8 të mbrëmjes, për të kryer pa kufizim vaksinën antiCovid.