Një studim ndërkombëtar, ka zbuluar tek qytetarët e infektuar me koronavirus (për një kohë të gjatë), deri në 200 simptoma. Studimi zbuloi simptomat e panumërta, nga ‘mjegulla’ e trurit dhe halucinacionet, deri tek dridhjet dhe zhurma e veshëve. Sipas studimit, një e treta e simptomave vazhdoi të prekte pacientët për të paktën gjashtë muaj.
Athena Akrami, një shkencëtare në University College London, dhe autore e studimit, tha: “Shumë klinika janë përqendruar në rehabilitimin e frymëmarrjes. Është e vërtetë që shumë njerëz kanë gulçim, por ata gjithashtu kanë shumë probleme të tjera”.
Ajo u shpreh se ishte ende duke përjetuar simptoma 16 muaj pasi u infektua me koronavirus, duke shtuar: “Ka të ngjarë të ketë dhjetëra mijëra pacientë me Covid të gjatë që vuajnë në heshtje, të pasigurt nëse simptomat e tyre janë të lidhura me Covid-19”.
Njerëzit që infektohen me virusin SARS-CoV-2 dhe zhvillojnë sëmundjen e COVID-19 mund të shërohen mesatarisht pas dy javësh nga paraqitja e parë e simptomave. Për disa raste më të rënda të COVID-19, mjekët thonë se shërimi i të infektuarve mund të zgjasë deri në gjashtë javë.
Por ka edhe një kategori që vazhdojnë të kenë simptoma për javë ose muaj të tërë, edhe pasi kanë menduar se janë shëruar.