Certifikata elektronike është një dokument elektronik që lëshohet nga Agjencia Kombëtar e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), pas aplikimit në portalin e-Albania, për çdo tatimpagues që lëshon fatura, me qëllim të zbatimit të procedurës së Fiskalizimit të faturës.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) informoi përmes një videoje mbi hapat që duhet të ndërmerren për të kryer me sukses aplikimin. Fiskalizimi është reforma më e rëndësishme që Administrata Tatimore ka ndërmarrë në këto 10 vitet e fundit. Administrata Tatimore thotë se qasja ndaj bizneseve do të jetë jopenalizuese deri më 1 janar 2022, por kjo nuk do të thotë që biznesi duhet të mos përmbushë detyrimet e veta për të qenë në rregull me kërkesat e Fiskalizimit. Bizneset duhet të kenë përmbushur kërkesat minimale të Fiskalizimit, të tilla si pajisja me certifikatë elektronike, të kenë regjistruar të dhënat e veta në Self-Care, të jenë pajisur me një soft për të lëshuar faturat.

Nëse subjektet do të kenë problematika në kuptueshmërinë e ligjit, në procedurat e tyre të brendshme të lëshimit të faturave, Administrata Tatimore thotë se do të jetë aty për t’i ndihmuar, në mënyrë që këto problematika të tejkalohen dhe pa pasur një qasje penalizuese. Që prej janarit të këtij viti bizneset që lëshojnë fatura me institucionet shtetërore kanë qenë të detyruara të përdorin sistemin e ri të faturës elektronike.

Nga 1 korriku nisi zbatimin faza e dytë e Fiskalizimit, që përfshin transaksionet pa para në dorë ndërmjet bizneseve (B2B). Tashmë këto biznese duhet të lëshojnë vetëm fatura elektronike. Referuar të dhënave të administratës tatimore, numri i tatimpaguesve të cilët pritet të hyjnë në procesin e Fiskalizimit më 1 korrik është rreth 34.000. Ndërsa më datë 1 shtator 2021 do të nisë për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, ose siç njihet ndryshe B2C.