Pas rritjes së rasteve me Covid-19, qeveria e Kosovës vendosi të ashpërsojë masat kundër sëmundjes. Masat shtesë, që hyjnë në fuqi sot, do të jenë të vlefshme deri në 13 shtator, kohë kur do të nisë dhe viti i ri shkollor në vend. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia kjo grupmoshë së fundmi është bërë edhe shpërndarës i virusit, ndaj dhe u kërkuar shtyrja e fillimit të shkollës.
Sipas ministrit Vitia, situata epidemiologjike në javët e fundit ka qenë e rëndë.
“Kemi të bëjmë me një rritje të jashtëzakonshme të rasteve të infektimit me covid-19”, u shpreh ministri. Në masat e reja përfshihet kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00.
Orari i sektorit të gastronomisë është reduktuar dhe ky sektor tashmë do të mund të punojë deri në ora 21:30 dhe do të lejohet të punojë vetëm në hapësira të jashtme. Institucionet publike dhe private janë të detyruara të punojnë vetëm me staf te domosdoshëm deri në 13 shtator.
Pas kësaj date, punëtorët e sektorit publik duhet të dëshmojnë certifikatën e vaksinimit apo testet përkatëse që t’iu lejohet hyrja në vendet e punës. “Kjo masë gradualisht do të përfshijë edhe sfera të tjera të jetës ekonomike dhe sociale”, u shpreh Vitia.
Po ashtu, të gjithë personat që do të hyjnë në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, duhet të ofrojnë dëshmi për vaksinim apo teste PCR dhe antigen ose në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë.