Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës vijon të zgjojë interesin e turistëve vendas e të huaj, të cilët mbeten të mahnitur nga historia dhe traditat shqiptare.
Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në ditën e sotme muzeu u vizitua nga mbi 1 mijë turistë, të cilët shfaqën interes për kulturën dhe historinë e popullit tonë gjatë vizitës në Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Muzeun Etnografik Krujë.
Sipas tij, pjesa më e madhe e turistëve janë nga Ukraina, Izraeli, Serbia, por edhe këtë vit, polakët përbëjnë numrin më të madh të vizitorëve të huaj.
Gjatë muajve qershor-gusht në qytetin e Krujës ka pasur një fluks të madh të turistëve në qytetin e Krujës, – shtoi Hafizi.
Nga janari deri në qershor këta muze i kanë vizituar 13 mijë vizitorë”, 2.5 herë më shumë vizitorë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Qyteti i Krujës është një nga destinacionet kryesore në Shqipëri. Si një nga trashëgimitë kulturore dhe historike të këtij qyteti, Pazari i Vjetër Krujës pret vizitorë nga Shqipëria, rajoni dhe gjithë bota pothuajse në çdo stinë të vitit.
Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.
Krahas pazarit, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për tu vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet Kalaja, Muzeu Historik si dhe Muzeu Etnografik.