Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli iu bëri thirrje qytetarëve që ende nuk janë vaksinuar me vaksinën anti-covid, që të mos hezitojnë, por të paraqiten pranë qendrave shëndetësore.

E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Rakacolli tha se këtë muaj ka pasur një hezitim nga qytetarët, edhe për shkak se u pa një qetësim me shifrat e covid. Po ashtu ajo theksoi se ka një ngurrim nga ana e të rinjve pas disa teorive konsiprative se vaksina dëmtonte organet riprodhuese, ndërsa si mjeke Rakacolli e hodhi poshtë këtë pretendim.

“Ka një tendencë përkeqësimi të situatës, që çon drejt ndryshimit të indikatorëve. Po të nisim me incidencën 2 javore, ka shkuar nga 800 për 100 mijë banorë. Ka ardhur në shtim numri i rasteve që janë të shtruar në spitale. Pavarësisht njerëzve që dalin të shëruar, jemi afër numrit 100 të atyre që kërkojnë ndihmë spitalore. Mbi 95% përqind e të hospitalizuarve janë të pavaksinuar.”, tha ajo. Po ashtu, Rakacolli tha se COVID 3 do të hapet kur të ezaurohen kapacitetet te Infektivi.

“Hapja e spitalit do të bëhet si në skenarin e kaluar. Kapaciteti i Infektivit është 120 shtretër. Kur të jenë ezauruar shtretërorit, do hapet COVID 3. Vaksinimi shtesë, se di çfarë ka parasysh presidenti. Por mendoj se thotë futjen e vaksinimit të detyruar për grupe në risk. Vaksinimi është i hapur në moshat mbi 18 vjeç. Ajo që është vënë re është se nuk është ai numër i qytetarëve që ne presim që të bëjnë vaksinën. Ka një hezitim , pasi pati një përmirësim të situatës. Ka ndikuar për keq edhe te të rinjtë disa lajme jo shkencore që u përhapen në rrjetet sociale, siç janë dëmtimet në organet riprodhues, e gjë që nuk është e vërtetë. Viruset e kaluara nuk i përzgjidhnin shumë të rinjtë, por Delta i ka prekur. Ka shumë faktor që ka ndikuar te vaksinimi. Sensibilizimi ynë ka qenë i kategorizuar te të gjitha grupet e popullsisë. Vaksinimi i detyrueshëm bëhet në të mirë të shëndetit publik. Kemi menduar, me sugjerim të Komitetit të Vaksinimit, që të nisej me ata njerëz që rriskoheshin të infektoheshin por dhe të infektonin. Studentët dhe pedagogët, duhet të kenë bërë vaksinën deri në 30 shtator. Ata që nuk do të duan të bëjnë vaksinën, do të caktohet bërja e një analize tamponi që ata janë të shëndetshëm dhe nuk përbëjnë rrezik për komunitetin. Për muzikën nuk u ndryshua ora policore.”, pohoi Rakacolli.

Duke u ndalur te vendimi për qytetarët që hyjnë në vendin tonë, i cili do të aplikohet nga 6 shtatori, Rakacolli tha se ata duhet të disponojnë një nga 3 dokumentet e kërkuara.

“Të kenë ose pasaportën e vaksinimit, ose të kenë PCR të bërë 72 orë para, ose testi i antigenit që është bërë jo më vonë se 48 orë. Kjo vlen dhe për tranzitët. Për ata që nuk kanë asnjë prej këtyre, duhet të bëjnë karantinën. Pas 10 ditësh karantinë, duhet të bëjë testin. Masat mund të ndryshojnë sërish.”, shtoi ajo. Por sa është numri i të infektuarve me Delta në vendin tonë?! Rakacolli tha se kjo shifër pak a shumë dihet nga Ministria e Shëndetësisë.

“Kemi një të dhënë se sa është numri i tyre. Vonë është futur dyshimi se mund të kemi variantin delta. Konfirmimin e konfirmuam në Gjermani. Ka mundësi që dhe në Shqipëri të kihet një ide se sa është numri i të infektuarve me Delta.”, theksoi zv/ministrja.

Ndër të tjera Rakacolli u ndal edhe te vendimi i shtyrjes së shkollës, ndërsa pohoi se kjo vendimmarrje i takon Ministrisë së Shëndetësisë. “Ne i kemi të parashikuara të gjitha skenarët. Edhe për mësimin online. Në momentin që jemi tani mendojmë që mund të bëhet mësimi në klasa. Gjithçka varet vetëm nga shifrat. Ato si kontrollon vetëm shëndetësia, por nga bashkëpunimi i qytetarëve.”, nënvizoi ajo.

Një tjetër pyetje që iu përgjigj Rakacolli ishte fakti se gratë që janë shtatzënë mund të bëjnë vaksinën anti-covid, pasi po aplikohet edhe nga vendet e tjera. “Po mund ta bëjnë. Ka studime serioze, madje ka vende që po e rekomandonin me forcë grupin e grave shtatzënë që të bëjnë vaksinën.”, pohoi ajo.