Faza e tranzicionit midis mandatit të dytë dhe nisjes të tretit ka përfunduar. Dalja e djeshme e kryeministrit Rama në konferencë për shtyp shënoi pikërisht përmbylljen e kësaj faze dhe enumeracioni i arritjeve të qeverisjes në mandatin e përfunduar, shërbeu thjesht si rikujtesë përpara hapave të tjerë të pritshëm në vijim. Me 74 deputetë në parlament, si dhe tre vota pro saj në rezervë, mazhoranca e sotme mbetet e qetë në qeverisje por gjithsesi ajo çfarë përbën kërshëri është se me çfarë marshi do e nisë mandatin e saj të tretë. Cili do të jetë ekipi i ri që do të jetë fytyra e re e qeverisjes dhe kush janë fushat që kjo mazhorancë i konsideron prioritare për rritjen ekonomike dhe ku do të përqëndrojë energjitë kryesore. Për të gjitha këto Rama shprehu se fillimi i shtatorit do të qartësojë gjithçka, si për kabinetin ashtu dhe për programin e ri qeverisës. Por ajo çfarë ra në sy në deklarimet e kryeministrit ishte se kësaj mazhorancë nuk i ka humbur energjia për të përballuar sfida të reja dhe nuk ndihet e vetëkënaqur nga fitorja e zgjedhjeve për të rënë në letargji dremitëse.
Çfarë e rinovon një mazhorancë, për më tepër kur ka tetë vjet që qeveris, është aftësia për të ndryshuar. Kalcifikimi i ideve, i ndërthurjes së punës, i njerëzve që ka veshur me pushtet dhe që e drejtojnë këtë vend, natyrisht që do sjellin kosto të rënda nesër. Jo thjesht për forcën politike por për vetë ecurinë e ekonomisë dhe të zhvillimin e vendit. Në këtë aspekt, PS po tregon se nuk është një parti e vetëkënaqur për çka ka arritur, por se dhe gjatë fushatës elektorale evidentoi dhe probleme që duhen ndrequr. Kryeministri në fjalën e tij tha se jo gjithçka ka rrjedhur vaj, dhe u angazhua se makineria qeverisëse duhet të riprogramohet, të vajisë ingranazhet që nuk kanë funksionuar mirë e të bëjë zëvendësimet e duhura. Dhe në këtë kuadër natyrshëm që do të shoshitë e të marrë në shqyrtim dhe pakënaqësitë nga qytetarët mbi institucionet. Shenjat sidoqoftë tregojnë se shtatori do të jetë nisja e një furtune të gjerë në administratën e lartë dhe të mesme, dhe kjo i është premtuar elektoratit që gjatë fushatës elektorale. Në kushtet e sotme, kur kemi një situatë ende të ndezur me opozitën për çështjen e zgjedhjeve dhe mosnjohjen e rezultatit, do të dukej si një tërheqje dhe tregues frike çdo hezitim dhe dalje nga programi i punës. Kur në fakt vijimësia është e vetmja rrugë për të treguar se mazhoranca ka fuqinë për tu vetpërmirësuar. Nëse PD është ende në një krizë të thellë besimi për shkak të humbjes së radhës, marrja e iniciativës nga ana e mazhoranëcs, si për lëvizjet e pritshme ashtu dhe në vijueshmërinë e stabilitetit qeverisës, mbeten elementë i drejtpërdrejtë komunikimi me elektoratin për mesazhet që ka përcjellë ai përmes votës.
Elementi i dytë që u vu në dukje në konferencën e Ramës ishte ekonomia dhe sfidat që ka kjo mazhorancë në mandatin e tretë. Sfidat që u desh të përballoheshin në mandatin e dytë, tërmeti dhe pandemia, morën shumë energji të cilat mund të kishin sjellë kontribut të ndjeshëm në zhvillimin e ekonomisë. Shqipëria për arsye të krizës globale ka dalë nga ritmi ciklik natyror i zhvillimit të saj por që duhet shpejt të rifutet në ritmin e saj përkundrejt lëvizjeve politike dhe reformave ekonomike nëse në qendër të reformave vendoset produktiviteti dhe kapitali njerëzor. Do të ishte një mrekulli sikur treguesi i borxhit publik te rikthehet ne nivelet e para krizës. Kriza globale ndërpreu progresin e mirë të ekonomisë dhe financave Shqiptare. Dalja nga kjo thyerje do të jetë afat gjatë dhe kërkon një vëmendje të madhe në mbështetjen e sektorit privat dhe rritjen e produktivitetit
Në këtë aspekt sfidat ekonomike në mandatin e tretë janë të rëndësishme për tu përballuar me efektshmërinë e një ekonomie që di të përfitojë nga të gjitha opsionet dhe prej efikasitetit të politikave drejtuese. “Ballkani i hapur” është pikërisht një nga këto mundësi që duhet venë në funksion të përfitimeve dhe avantazheve për një rritje ekonomike sa më të shpejtë. Të gjitha janë të rëndësishme për të vajtur drejt një optimizimi eficient te tyre për një rikthim sa më të shpejtë ne trajektoren e para krizës. Projektet e mëdha strategjike duhet të vazhdojnë në mandatin e tretë për modernizimin dhe zhvillimin e premisave të infrastruktures fizike dhe teknologjike, ndaj ka shumë rëndësi angazhimi dhe njerëzit që fusin një freski dhe energji të reja. Mazhoranca mund ta shfrytëzojë faktin se nuk ka për çfarë të shpërblejë në masë me poste përderisa vijon në pushtet, për rritjen e efektshmërisë dhe profesionalizmit të administratës. Gjatë mandatit të kaluar administrata u zvogëlua, ashtu sic u ul dhe numri i ministrive dhe kjo ishte një nismë e mirë. Por tashmë mund të synohet dhe rritja e efektivitetit nëpërmjet shndërvjelltësisë dhe rritjes së aftësisë së saj. Vetë kryeministri Rama u shpreh qartë gjatë fushatës elektorale se mbetej i pakënaqur nga administrate aktuale dhe sidomos nga sektori i shërbimeve ndaj qytetarëve. Jo rrallë vetë mazhoranca ka mbajtur qëndrim dhe ka denoncuar apo larguar nga detyra, titullarë të ndryshëm të administratës shtetërore për abuzivizëm apo paaftësi, për sjellje jo korrekte apo zvarritje të shërbimeve. Në këtë aspekt pra, duket se në mandatin e tretë, një nga sfidat që do të përballet kjo mazhorancë do të jetë pikërisht profesionalizmi i administratës. Ajo çfarë nuk u prek në daljen e kreut të mazhorancës ishte klima politike dhe veçanërisht çështja e marrëdhënieve me opozitën, të cilës muaj më parë I ka bërë një ftesë të hapur për të bashkëpunuar lidhur me reformat dhe interesat e vendit. Duket se kjo çështje është lënë flu përderisa opozita është ende e paqartë për pozicionin e saj dhe nuk ka gjetur veten në zhvillimet e reja që nga humbja e zgjedhjeve e deri tek shpallja non grata e ish liderit Berisha. Fakti që Rama nuk e sulmoi opozitën pikërisht në momentet më të dobëta të saj, shpreh nga ana tjetër se ftesa e tij është serioze dhe jo si provokim politik, dhe që për këtë qëllim u mor me frikë nga përfaqësues të opozitës. Në këtë aspekt mbetet të presim shtatorin për zhvillimet e mëtejshme kur opozita do të paraqitet në Kuvend./Fjala.al