Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit Standard & Poor’s (S&P), në rishikimin më të fundit të saj (30 Korrik 2021), konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+”, si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj shprehet se, “agjencia vlerëson se ekonomia do të ringrihet gjatë këtij viti dhe parashikon një rritje ekonomike prej 5% dhe se deri në fund të 2021 Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) do të rikuperohet në nivelet e vitit 2019 (para pandemisë)”. “Vlerësohet hartimi i strategjisë afatmesme për të rritur mbledhjen e të ardhurave, si dhe reforma për të siguruar miradministrim fiskal dhe modernizuar sistemin ekzistues fiskal”- deklaroi Denaj.
Teksa thekson se, “Agjencia pret që deficiti fiskal, i cili u rrit fort në 2020, do të fillojë të ulet që nga 2022 dhe do të kontribuojë që niveli i borxhit publik ndaj PBB të fillojë të ulet, ndërsa ekonomia rikuperohet dhe shpenzimet për masat kundër pandemisë do të shuhen”. S&P vlerëson se autoritetet synojnë të shfrytëzojnë çdo hapësirë fiskale për të vijuar me pagimin e detyrimeve të prapambetura të akumuluara në vitet e mëparshme, në veçanti vëmendja ndaj zerimit të stokut në rimbursimin e TVSH.Agjencia shprehet, se humbjet në të ardhura, shpenzimet shtesë të lidhura me pandeminë, si dhe shpenzimet kapitale të rritura bënë që deficiti në 2020 të zgjerohej në rreth 6.8% të PBB-së, nga 1.9% në 2019. Buxheti i rishikuar 2021 targeton të njëjtin nivel deficiti në raport me PBB, dhe një vijimësi të shpenzimeve kapitale të larta.
Agjencia projekton që raporti i borxhit të përgjithshëm të qeverisë ndaj PBB-së, pasi të kulmojë në rreth 78% të PBB-së në vitin 2021, pritet të bjerë nga viti 2022 e më tej, ndërsa ekonomia rikuperohet dhe shuhet gradualisht efekti i masave mbështetëse. Agjencia e konsideron relativisht të lartë këtë nivel borxhi, si dhe vlerëson gjithashtu se është i ekspozuar ndaj rreziqeve të mundshme fiskale. Agjencia shprehet se disa përpjekje të qeverisë do të mbështesin konsolidimin në vitet e ardhshme. Për shembull, qeveria pret që të zbatojë një strategji afatmesme të të ardhurave për të rritur mbledhjen e të ardhurave. Qeveria Shqiptare ka filluar zbatimin e një sërë sistemeve, përfshirë atë të Fiskalizimit për të siguruar miradministrim fiskal, për të modernizuar sistemin ekzistues fiskal dhe për të siguruar rritje të të ardhurave ndaj PBB-së në mbi 30% në vitet e ardhshme.
Ndër të tjera Agjencia vlerëson se me rreth 28% në vitin 2018, raporti fiskal i të ardhurave ndaj PBB-së së Shqipërisë është më i ulëti në Ballkanin Perëndimor, nivel i cili sipas agjencisë i atribuohet evazionit fiskal, shkallës së lartë të informaliteti në ekonomi dhe përjashtimeve të ndryshme tatimore në buxhet.S&P shprehet se autoritetet po ndjekin në mënyrë aktive përpjekjet për të përmirësuar profilin e borxhit publik, i cili aktualisht karakterizohet nga risku i rifinancimit dhe ai i kursit të këmbimit, duke qenë se rreth gjysma e borxhit publik është e denominuar në monedhë të huaj. Maturiteti mesatar i borxhit publik kohët e fundit është rritur, por mbetet relativisht i shkurtër, në 4.5 vjet.