Në një studim të ministrisë izraelite të Shëndetësisë zbulohet se doza e tretë e vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19) e zhvilluar nga BioNTech-Pfizer siguron mbrojtje të konsiderueshme kundër infeksionit dhe sëmundjeve të rënda tek njerëzit e moshës mbi 60-vjeçare.

Ministria e Shëndetësisë ndau me publikun disa rezultate të hulumtimit të saj mbi njerëzit e moshës mbi 60-vjeç, që kanë marrë dozën e tretë të vaksinës BioNTech-Pfizer.

Në një deklaratë nga ministria, thuhet se doza e tretë te njerëzit e moshës 60-vjeç e lart siguronte 4 herë më shumë mbrojtje kundër infeksionit 10 ditë pas marrjes së vaksinës sesa doza e dytë.

Gjithashtu theksohet se me marrjen e dozës së tretë është ulur rreziku për t’u shtruar në spital dhe për ta kaluar rëndë sëmundjen tek grupmoshat e njëjta dhe thuhet se vaksina 5-6 herë më shumë siguron mbrojtje në këto raste.

Në fund të muajit të kaluar, Izraeli vendosi të japë dozën e tretë të vaksinës për njerëzit mbi 60-vjeç, më 13 gusht për ata mbi 50-vjeç dhe më 20 gusht për njerëzit mbi 40-vjeç.

Përveç këtyre grupmoshave, doza e tretë filloi të jepet për punonjësit e shëndetësisë, mësuesit dhe gratë shtatzëna.

Në Izrael i cili ka një popullsi prej afro 9,3 milionë banorë, më shumë se 1.482.000 persona, përfshirë kryeministrin Naftali Bennett, kanë marrë dozën e tretë të vaksinës BioNTech-Pfizer.