Transmetimi i Sars-Cov-2 duket se ndjek rregullin e grupit të gjakut: virusi infekton më lehtë personat me një grup gjaku të pajtueshëm me atë të personit të infektuar. Hipoteza sugjerohet nga një model matematikor i zhvilluar nga studiuesit e Institutit italian të Teknologjisë (IIT).

“Studimi buron nga hipoteza e parashtruar në vitin 2020 nga një grup kërkimor francez i Universitetit të Nantës, sipas të cilit transmetimi i virusit ishte i lidhur me grupin e gjakut të të infektuarve”, tha Giancarlo Ruocco, koordinatori i studimit.

Gjaku i njeriut klasifikohet në katër grupe të ndryshme të gjakut (0, A, B dhe AB), i bazuar në praninë e molekulave të veçanta në sipërfaqen e qelizave të kuqe të gjakut (të quajtura antigjene), që veprojnë pak a shumë si kartat e identitetit, të domosdoshme për pajtueshmërinë përsa i përket nxitjes së përgjigjeve imune.

Bëhet fjalë për një mekanizëm, ku subjektet me grupin 0 mund të dhurojnë gjak për të gjitha grupet pa pengesa, por marrin vetëm atë të të njëjtit grup, ndërsa AB mund të dhurojë vetëm për AB, por të marrë gjak nga të gjithë.

Hipoteza e studiuesve francezë është se në një farë mënyre virusi i replikuar në një subjekt mbart të njëjtin informacion me të, duke integruar antigjenet e grupit të gjakut nga jashtë. Kështu, ata që kanë gjak që i përket grupit AB mund të infektohen nga çdo individ, ndërsa ata që janë grup 0 mund të infektojnë këdo, pa diskriminim të grupeve të gjakut.

Për të verifikuar këtë hipotezë, studiuesit zhvilluan një model matematikor, që mori parasysh ndryshimet në shpërndarjen e grupeve të gjakut, që ekzistojnë në botë: për shembull, dihet se në Amerikën e Jugut ekziston një përhapje e fortë e grupit 0, ndërsa në Azi ka një homogjenitet të madh të të gjitha grupeve.

“Mund të themi se puna jonë ka konfirmuar statistikisht vlefshmërinë e hipotezës fillestare”, përfundon Ruocco. Tani do të jetë e nevojshme të bëhen kontrolle eksperimentale, për të kuptuar nëse ky mekanizëm është gjithashtu i pranishëm në raste individuale, midis grupeve individuale të njerëzve të infektuar.