Nga Alfred Peza
Tani që kemi hyrë në javën e fundit të gushtit, gjithkush nis e mendon më pak për pushimet verore e gjithmonë e më shumë për sezonin e ri të punëve, që fillojnë pas kësaj. Për shkak të hapjes së vendit, edhe shoqëria është bërë gjithmonë e më oksidentale ndaj nuk e kemi më muajin e nëntë të vitit si dikur, vetëm për ta nisur me këngën “Tring zilja”! Shtatori tani është edhe fillimi i një viti të ri televiziv, sportiv, politik, parlamentar, administrativ…, ose përndryshe starti i vitit të ri fiskal. Shtatori përkon këtë radhë, me nisjen e mandatit të ri të Parlamentit në 4 vitet e ardhshme, që doli nga zgjedhjet e 25 prillit. Do jetë një start i pazakontë politik, sepse pritet të shënojë ndërrimin e elitave, përmes një procesi që duhej të ishte bërë me kohë dhe në mënyrë natyrale. Jemi në prag të hapjes së portave për një elitë të re, që nuk është peng i së shkuarës, por “korriere” e së ardhmes sonë europiane.
Tri janë zhvillimet kyçe, që pritet ta shënjojnë këtë “revolucion” politik, në jetën e vendit: – Shpallja “non grata” e Sali Berishës nga Departamenti Amerikan i Shtetit. – Shkarkimi nga Parlamenti i Ilir Metës si President i Republikës. – Fillimi i punës me kapacitet të plotë i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), e cila bashkë me Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK), pritet ti hapin kapakun “Kutisë së Pandorës” që mban të fshehura brenda saj mëkatet e 30 viteve të post komunizmit.
Ky është “Trekëndëshi i Bermudës” së sezonit të ri politik brenda së cilës pritet të “zhyten”, të gjithë zullumqarët që e kanë mbajtur peng deri dje këtë vend, për shkak të kulturës së pandëshkueshmërisë që ishte instaluar nga sistemi i vjetër i drejtësisë. Shtatori shënon ngadhnjimin e drejtësisë së re, sepse institucionet e saj janë tashmë një realitet i patjetërsueshëm, duke u bërë edhe garantja e ndryshimit. Së pari, PD është përpara provës më të madhe që i është dashur të kalojë nga themelimi i saj, tani që SHBA i ka kërkuar të distancohet nga lideri historik Sali Berisha, për të mos qenë më pjesë e Grupit parlamentar në shtator. Kjo është vija e kuqe e përcaktuar nga aleati ynë strategjik, të cilën Lulzim Basha nuk mund ta kalojë dot, përndryshe edhe atë e pret i njëjti fat politik!
Është e qartë se Sali Berisha nuk largohet me dëshirë, sepse e di se çka bërë, ndaj ka nevojë ekzistenciale për të qenë brenda sistemit politik sa të jetë gjallë. I pafuqishëm si ai, për ta vrarë babain e vet politik, Lulzim Basha po shkon drejt “hara-kiri”-t. Ndaj PD është sot para dilemës shekspiriane; ose të gjejë një lider të ri që ta rindërtojë nga e para, ose të nisë rrugën drejt varrezave të historisë. Së dyti, shtatori është i rëndësishëm, pasi Parlamenti i ri pas 12 vitesh, ribëhet sërisht bipolar. Humbja katastrofike e LSI në zgjedhjet e pranverës, e kanë rudhur atë në kufijte e ekzistencës, duke ia hequr mundësinë për tu bërë poli i tretë politik i vendit. Për rrjedhojë Ilir Meta nuk është më një “kingmaker” i skenës së madhe, pasi ka nisur bashkë me partinë e tij familjare, rënien e pandalshme.
Pas shkarkimit nga Parlamenti përpara pushimeve verore, Presidenti i Republikës është bërë më i urtë se kurrë në karierën e tij politike, duke u zhdukur nga skena publike të cilën e dominoi zhurmshëm e në mënyrë të çekuilibruar përgjatë dy-tri viteve të fundit. Fatin e tij të mëtejshëm në zyrën e qytetarit Nr. 1 të Republikës, e ka në dorë Gjykata Kushtetuese, hallka më e lartë e sistemit të ri të drejtësi ndaj të cilit luftoi me çdo mjet e çmim sëbashku me Sali Berishën& Co. Së treti, të dobësuar si kurrë më parë sezoni i ri pritet ta hedhi pjesën e kalbur të elitës së vjetër politike, në gojën me dhëmbët “fringo”, të sistemit të ri të drejtësisë. Rihapja e dosjeve të “Gërdecit” dhe “21 janarit”, paralajmëruan shpluhurosjen e dhjetra dosjeve të pas 1990 që as u hetuan, as u gjykuan dhe fajtorët nuk u ndëshkuan kurrë.
“Trekëndëshi i Bermudës” sonë, do bëhet varri politik i atyre që nuk duan ta dëgjojnë “këshillën” e shqiptarëve dhe aleatëve tanë strategjikë, se koha e tyre mbaroi. Ndërkohë që dora e PS dhe Edi Ramës, për këdo që kërkon të eci përpara bashkë me vendin, do qëndrojë e shtrirë. Jemi në pragun e një fillimi të ri, drejt një kufiri që kurrë nuk e arritëm, sepse u penguam sistematikisht për 30 vjet me radhë!