Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se vijon përballja me flakët nga ajri në Fushë-Arrëz. Ministri Peleshi, tha se disa zjarre janë ende aktive dhe po punohet për shuarjen e tyre nga toka dhe nga ajri.

Disa vatra zjarri janë ende aktive në vend. Situata është problematike në fshatin Flet në Fushë-Arrëz, ku flakët rrezikojnë t’u afrohen banesave. Për shuarjen e tyre ka filluar puna nga toka e ajri. Me prioritet po punohet edhe në fshatin Thirrë në Mirditë, ku vatra ka zgjeruar perimetrin e forcat në terren kanë vështirësi për shkak të tymit të krijuar. Puna ka vijuar edhe në ‘Majën e Rrunës’, Laku i Mollave e Laku i Thive në Kukës, ku gjendja është në përmirësim dhe nuk ka rrezik për banesat. E njëjta situatë është edhe në fshatin Patej në Lezhë. Ndërsa prej mëngjesit ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri në malin e Tërbunit në Pukë, ku janë pozicionuar edhe mbi 150 forca të FA në terren, theksoi ai.