Viti i ri shkollor në Kosovë pritet të fillojë më 1 shtator, me pjesëmarrje fizike të nxënësve në institucionet shkollore dhe me orar të rregullt. Këtë e konfirmoi ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. Pjesa më e madhe e vitit të kaluar shkollor në Kosovë, por edhe në vende të tjera, është zhvilluar në distancë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Nagavci tha se “të gjitha studimet” kanë treguar se pasojat te fëmijët, për shkak të mbylljes së shkollave, “kanë qenë të mëdha”. “Për më tepër, është konstatuar se mbyllja e shkollave vitin e kaluar ka shkaktuar pengesa në qasjen në mësim të rregullt, por edhe pasiguri e stres te mësimdhënësit në aplikimin e metodave për mbështetjen e nxënësve për edukimin në distancë”, tha Nagavci përmes një postimi në Facebook. “Në mënyrë që të mos na përsëritet situata e vitit të kaluar, zgjidhja e vetme është vaksinimi i mësimdhënësve dhe punonjësve administrativë”, tha ajo më tej.
Numri i mësimdhënësve në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës është mbi 23,000, por nuk është e qartë se sa prej tyre janë vaksinuar kundër koronavirusit. Ditëve të fundit në Kosovë është rritur dukshëm numri i të infektuarve me koronavirus, përfshirë këtu edhe fëmijët.