9 ditë para fillimit të sesionit të ri parlamentar, deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste në Durrës në zgjedhjet e 25 prillit, Lefter Koka ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit. Lajmin e ka bërë me dije vetë Koka në një postim në rrjetet sociale ku falënderon votuesit dhe qytetarë për mbështetjen që i kanë dhënë për këto 2 dekada në këtë rrugëtim politik.
Koka nuk bën të njohura arsyet e kësaj tërheqje nga politika, por thotë se sot është dita që rrugëtimin e tij politik ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të tij, që e bën fitues për vite me radhë. Koka shkruan se për këtë vendim tijin ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendin e Shqipërisë.
‘2 dekada më parë me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri qytetarëve durrsakë.
Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e padiskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë.
Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël.
Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me rradhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre!
Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë.
Së fundmi, mirënjohje të madhe për mundësinë , besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm që më është dhënë t’i shërbej me përkushtim qytetit, vendit dhe njerëzve që dua!
Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje, është vendi plot dritë shprese që na përket të gjithëve.’- njofton Koka.