Sali Berisha nuk i ka patur asnjëherë të mira marrëdhëniet me komunitetin e gazetarëve, qëshkurse u vendos në krye të PD, në fillim të viteve ’90. Është një mallkim që e ka ndjekur nga pas, përgjatë këtyre 30 viteve, e me sa duket kështu do të vazhdojë përgjithmonë. Edhe gjëma më e fundit, i erdhi prej gazetarëve, e nga andej ku e priste më pak: brenda PD.

Jonila Godole pak orë pasi u zgjodh Sekretare për të Përndjekurit Politikë pranë PD, hapi “Kutinë e Pandorës” që askush nuk po guxonte ta bënte, prej disa muajsh me radhë. E pyetur nëse Sali Berisha duhej të largohej nga PD për të mos hyrë në Parlament, sipas edhe kërkesë së bërë nga ambasadorja e SHBA Yuri Kim pas shpalljes “non grata”, ajo u përgjigj:

“Bota ka treguar që edhe personalitete të mëdha, të cilët kanë qenë absolutisht shumë të rëndësishëm për gjithë Europën,- sjell në vëmendje rastin e ish- kancelarit gjerman Helmut Kohl,- në një moment të caktuar, partisë i është dashur që të marë një vendim që të ndahej prej tij. Nëse do më pyesin brenda PD, patjetër që do sugjeroja këtë (model) dhe do flas hapur”.

Deklarata bëri menjëherë xhiron e medias, përfshi edhe organin zyrtar të PD, gazetën “RD”. Edhe syri.net një media pranë familjes Berisha, e postoi thirrjen e Godoles drejtuar PD, për tu distancuar nga Sali Berisha. Më pas të gjitha palët nxituan për tu sqaruar, por dëmi publik ishte bërë, shoqëruar edhe me një zhurmë të pazakontë.

Jonila Godole ka qenë një gazetare e rreshtit të parë këtu e 25 vjet përpara, por dy dekadat e fundit iu përkushtua studimeve, mësimdhënies si pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe çështjes së zbardhjes së të vërtetave të periudhës së komunzimit. Ajo ia tha Sali Berishës të vërtetën në sy, që ditën e parë që futi këmbët zyrtarisht në PD, duke konfirmuar se gazetarët vijojnë të mbeten flamurtarët e fjalës së lirë.

Sokol Olldashi ka qenë gazetari që i ngjiti më shpejt dhe më vrullshëm shkallët e karrierës brenda PD, duke u bërë natyrshëm pas humbjes së zgjedhjeve në 2013, kandidati kryesor për të zëvendësuar Sali Berishën në krye të saj. Shpirt i lirë siç ishte, me autoritet dhe karizmën e duhur për tu shndërruar në një lider të denjë për demokratët, Sokol Olldashi u mënjanua përballë një kukulle si Lulzim Basha.

Sali Berisha me sa kuptohet qartë tashmë, kishte patur projekte të tjera për këto 8 vite në opozitë, pavarësisht se deklaroi se do tërhiqej. Sesi do kishin rrjedhur ngjarjet me Sokol Olldashin Kryetar të PD, këtë askush nuk mund ta dijë, për shkak të humbjes tragjike të jetës së tij në një aksident automobilistik. Por e sigurtë është se ai kurrë nuk do të ishte një lider “de jure”, duke lënë Sali Berishën të drejtonte “de facto”, siç ka ndodhur me Lulzim Bashën.

Sokol Olldashi dhe Jonila Godole, nuk janë përjashtime nga rastet e gazetarëve të tjerë të angazhuar politikisht brenda PD, por shembujt që vërtetojnë se përse ata janë shndërruar në mallkimin e Sali Berishës. Historia nis herët, kur ai u përplas me Kryeredaktorin e parë të gazetës “RD”, Frrok Çupi. Për të vijuar më pas me largimin e grupit themelues të kësaj gazete, që vërtetuan në hapat e parë të pluralizmit, sesa sfiduese do ishte liria e fjalës jo vetëm në diktaturë por edhe në demokraci.

Kur erdhi në pushtet (1992-1997) Sali Berisha i rrahu e i burgosi gazetarët, u dogji redaksitë, derisa u fut në listën e 10 armiqve më të mëdhenj të lirisë së shtypit në botë. Gjatë periudhës së opozitës (1997-2005) e më pas kur u rikthye në pushtet (2005-2013) ai e ndërroi qimen, sepse afroi disa gazetarë që të bënin karrierë politike brenda PD, por nuk e harroi zakonin.

Mitro Çela, Preç Zogaj, Teodor Keko, Teodor Laço, Besnik Mustafaj, Natasha Lako, Bardhyl Londo më parë dhe më pas Astrit Patozi, Majlinda Bregu dhe Mark Marku megjithë vlerat, nivelin dhe kontributin e tyre ndër vite, nuk ia dolën kurrë që të mernin atë që meritonin në raport me shumë e shumë të tjerë brenda PD, që nuk kishin aftësitë dhe cilësitë e tyre.

Kaq mjafton për të kuptuar raportin e Sali Berishës me lirinë e fjalës, me lirinë e shprehjes, me lirinë e mendimit. E ta kujtosh që ai vetë, ka deklaruar se nëse nuk do të bëhej mjek, dëshironte të bëhej poet ose shkrimtar. A thua të jetë ëndrra e ndërprerë në mes, ajo që ia pamundëson raportin normal me gazetarët në sferën politike, aq sa i është shndërruar në një kazus të denjë për Frojdin në trajtën e një mallkimi të përjteshëm?!