Nga Ylli Pata/ Dje Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shkalli zyrtarisht emërimin e ambasadorit Donald Lu, një një post të lartë në Departamentin e Shtetit, si krey i Byrosë për Azinë.
E natyrisht ky emër dhe ky vendim, risjell mjaft zhvillime në Shqipëri, që sot kanë marrë një rrjedhë tjetër në Shqipëri, por që kanë firmën e diplomatit, që në Shqipëri e mallkuan, e sulmuan, e “shkarkuan”, ndërkohë që edhe kur iku në Kirgistan si ambasador i SHBA-së e “degraduan” me lajme false, gjasme SHBA ka dështuar atje etj.
E në aktualitetin politik shqiptar, kur që prej prillit po mbizotëron shpallja non grata për Sali Berishën, natyrshëm rrjedhin ngjarjet që e sollën situatën deri këtu.
Mjaft panelistë e politikanë, e marrin vendimin e SHBA si një tekë e dhënë tani, me lobim, e për një “njeri të dobët”, “të larguar nga politika”, “pa asnjë peshë”, “fuqi politike e ekonomike” etj. Ndërkohë që në një anë i japin doktorit fuqi të mbinatyrshme që thirren që nga mitologjia greke e fenikase, nga ana tjetër, e vizatojnë si një “të shkretë” e “pa zë në protokoll”.
Në fakt panorama është krejt ndryshe.
Mekanizmi i “Listës së Zezë” në qeverinë e SHBA ka ekzistuar prej kohësh, ku zakonisht vendoseshin organizatat terroriste, grupet e dhunshme, e natyrisht individë që mbështetnin, financonin e aktivizonin terrorizmin.
Para disa vitesh, me veprimin e Moskës në disa shtete fqinje të saj, SHBA aktivizoi edhe listëb e njerëzve që u futën në listë të zezë për krime të dëmtimit të interesave të shteteve fqinje të Rusisë.
Ndërkaq, në vitet e fundit, Departamenti i Shtetit, futi në zbatim mekanizmin “Non Grata” për “Korrupsion të dukshëm dhe të rëndësishëm”.
Po të shikosh listën dhe historikun e këtij mekanizmi, ai ka nisur pikërisht për ata politikanë që konsideroheshin “të paprekshëm” dhe penguan drejtësinë e vendeve të tyre, për të ndjekur politikanët e korruptuar.
Në Rumani, një vend i Bashkimit Europian, Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo, shpalli non Grata liderin e mazhorancës, Liviu Draganea, së bashku me dy fëmijët e tij, djalin e vajzën. Bashkëshorten nuk e shpalli, pasi ai ishte ndarë me gruan e parë prej vitesh, ndërkohë që sapo ishte lidhur me një grua tjetër.
Ky ishte vendimi më i fortë i SHBA që e nisi këtë mekanizmin në sferat e larta. Kjo u bë, vetëm pasi mazhoranca e Draganeas, largoi me dhunën e kartonit kreun e Prokurorisë speciale, Laura Codruta Kovesi, e cila kishte nisur të arrestonte “të paprekshmit”.
Ja ç’thonte Draganea përpara se të hishte kryeprokuroren e “SPAK-ut” rumun për të bërë një analogji edhe në Shqipëri.
“Demokracia në Rumani, ështe nën sulm nga një ‘shtet i thellë’ në hije, ‘emisarët’ e të cilit përfshijnë prokurorët, agjentë të policisë sekrete, gazetarët dhe organizatat jofitimprurëse të mbështetura nga paratë e të huajve.Ne po na nxisin, kërcënojnë dhe shantazhojmë që të spiunojmë mbi të afërmit tanë, miqtë, kolegët e madje edhe njerëz që nuk i kemi takuar kurrë. Ju i keni parë ata në televizor duke fabrikuar çështje, duke falsifikuar deklarata. Ju i keni dëgjuar duke kërcënuar dëshmitarë. Kreu i DNA-së është ende këtu. Ju e keni dëgjuar atë kur i kërkon prokurorëve të kapin peshqit e mëdhenj”.
Krejt identike; si dy pika uji me narrativën e retorikën që është mbajtur në Shqipëri, ndaj përkjekjes më të madhe për të goditur të paprekshmit në Shqipëri.
E mbani mend kur Donald Lu fliste për goditjen e “të paprekshmëve”?, kur përmendte filmin epik të Brian de Palma? E natyrisht peshqit e mëdhenj? Jo u sulmua, por u masakrua sapo nisi reforma në drejtësi.
E le të vijmë tek logjika që nxjerr arsyet e Non Grata-s. Draganea jo vetëm shkarkoi kryeprokuroren Laura Codruta Kovesi, e cila erdhi të trajnojë edhe Adriatik Llallën në Tiranë me kërkesën e SHBA e BE-së, por tronditi e ndaloi me sulm politikë, drejtësinë që të hetonte korrupsionin e politikës së lartë.
Nikolla Gruevski u përplas egër me SHBA dhe BE-në e NATO, duke i hapur rrugë influencës ruse, por ai së bashku me opozitën në “Marrëveshjen e Përzhinës” miratuan ngritjen e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion dy vjet përpara Shqipërisë. E ministrat e Gruevskit, nisën të ndiqen, ende pa u larguar ai nga pushteti.
Kurse në Shqipëri, u bë gjithçka për të penguar drejtësinë. Që nga Kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, të cilit edhe pse ju dha mbështetja për të nisur hetimet ndaj “Peshqve të Medhenj” ai i refuzoi. Madje akuzoi ambasadorin Donald Lu se i ka kërkuar të arrestojë Ilir Metën. Por përpara kësaj Llalla shkarkoi grupin e prokurorëve që erdhën nga trajnimi në SHBA, e që morën mësime se si ndiqet pasuria e “ të paprekshmëve”.
E të tjerat dihen tashmë. Llalla është i pari që u shpall Non Grata me familjen e tij, për korrupsion e pengim të drejtësisë, fakte që u vërtetuan më pas edhe nga drejtësia që e dënoi ish-Prokurorin e Përgjithshëm.
Më pas u vijua me Tom Doshin e Vangjush Dakon. Asnjëri prej tyre nuk ka folur për këto vendime përveç kontestimit, por sipas gjasave pengimi i drejtësisë nëpërmjet lobimit është arsyeja kryesore e vendimit të SHBA.
Donald Lu, disa herë në nisje të procesit “Tahiri” bëri thirrje që të mos tentohet lobimi dhe blerja e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Megjithëse Saimir Tahiri është rasti tipik i një politikani që betejën me drejtësinë e bën pasi largohet nga sallat e pushtetit.
I gjithë vulgu i sherrit politik që pas vizitës së Edi Ramës në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016 ishte pikërisht për të ndaluar reformën në drejtësi që mbështeste SHBA. Në atë takim u firmos ndihma e FBI-së për Byronë Kombëtare të Hetimit, e cila u pengua që në nisje, në radhë të parë nga Sali Berisha. Pastaj e njëjta gjë me procesin e vettingut, e njëjta gjë me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, e njëjta gjë për ngritjen e SPAK, etj etj.
“Revolucioni i Çadrës” për të bllokuar sistemin politik synonte bllokimin e ngritjes së komisioneve të vettingut, që u zhbllokuan me hyrjen në lojë të zyrtarit të lartë të DASH-it, Hoyt Brian Yee. i cili ishte i pari që kërcënoi me mekanizmin “Non Grata” Sali Berishën.
I cili u bë gati me rastin e djegies së mandateve në vitin 2019 dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Aty u bë gati vendimi për Berishën, e pritej vetëm të shpallej. Që ndodhi natyrisht, kur u këcënua një veprim i ri për të ndaluar SPAK e drejtësinë e re ndaj “të paprekshmëve” në vend…
Sa për kujtesë Ja fjalimi i Donald Lu që solli mallkimin e tij nga Sali Berisha e Ilir Meta, sulmin e egër, e nisjen e stinës së bllokimit për të ndaluar reformën në drejtësi. Mjafton thjesht leximi pa koment për të kuptuar arsyet reale të shpalljes Non Grata të Sali Berishës.
“Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri: Një drejtësi e pavarur për të luftuar korrupsionin dhe krimin e kryer nga zyrtarët e lartë. Ka një propozim që kjo do të jetë pjesë e Byrosë së Pavarur të Hetimit, bërë sipas modelit amerikan.
Pse të besojnë shqiptarët se ajo do të funksionojë? Për shkak se SHBA-ja do të investojë që ajo të jetë e tillë. Ne kemi vënë menjanë miliona USD për të paguar pajisjet dhe trajnimet e këtyre policëve. Trajnimi i tyre do të zhvillohet në Akademinë e FBI-së në SHBA-së. Një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimit kryesuar nga zyrtarë të lartë dhe shpresojmë të arrestohen të paprekshmit. Kjo do jetë pjesë e BKH-së e bërë sipas modelit të FBI-së amerikane. Këta polic duhet të jenë përtej ndikimit dhe korrupsionit, për shkak se FBI do i trajnojë.
“Të gjithë policët e BKH-së do të futen përmes testeve. Llogaritë e tyre bankare do të mbikëqyren për të parë nëse ata po arrin apo jo ryshfet, apo po punojnë për krimin. Drejtori për antikorrupsionin, do të jetë një oficer i gjyqësorit, që do raportojë në prokurori. Ky prokuror do të japë llogari para popullit shqiptar”.
“Udhëheqësit politik po përpiqen që ta përdorin debatin për motive politike.Por Byroja do te behet dhe solli dhe nje shembull te nje filmi amerikan, bazuar ne historine e vertete, per kapjen e mafiozit, Al Kapone.
Më lejoni ta përfundoj me një citim nga një film i quajtur (The Untouchables), shqip, “Te paprekshmit”:
Njëri prej policëve elitarë të luajtur nga Sean Connery pyet Eliott Ness, Kevin Kostner luan prokurorin që është kreu i të paprekshmëve, ju më thatë që doni të kapni Al Kaponen, (Roberto De Niro) a doni ta kapni atë me të vërtetë? Ajo që dua të them është se cfarë jeni të përgatitur të bëni?
Dhe prokurori i përgjigjet; Gjithçka sipas ligjit”.
Duhet të siguroheni që Shqipëria të ketë ligjin e duhur për një njësi të pavarur e të paepur.