Kryedemokrati Lulzim Basha komentoi sot turin e Sali Berishës dhe përpjekjet e këtij të fundit për t’u rikthyer në Grupin Parlamentar të PD. Me gazetarët, Basha përsëriti qendrimin e tij sa i përket rolit të Berishës në zhvillimin e demokracisë dhe Partisë Demokratike. Por i pyetur në lidhje me akuzat e ish-kryeministrit, Basha u tregua i prerë duke shtuar se asgjë s’mund ta cenojë aleancën e PD me SHBA.

“Nuk kam asgjë për t’i shtuar asaj që kam deklaruar një javë më parë sa i përket kontributit të Sali Berishës për zhvillimin e Shqipërisë, demokracisë dhe aleancës me SHBA.

Por dua të jem fare i qartë, aleanca dhe partneriteti i PD me SHBA, duhet dhe do të mbetet i pacenueshëm në interesin më të mirë të demokratëve shqiptarë, të së nesërmes, Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe për këtë arsye ne, së bashku me të gjithë shqiptarët që mezi po presin ndryshimin për të realizuar aspiratën e tyre për ndryshim. Nuk ka kthim pas” – tha Lulzim Basha.