Kosova dhe Serbia po përgatiten aktualisht për një takim të mundshëm të nivelit të lartë gjatë muajit shtator mes dy udhëheqësve kryesorë politikë, kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Kjo u bë e ditur nga vetë krerët e të dy vendeve, gjatë forumit strategjik të Bledit në Slloveni, ku morën pjesë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit dhe udhëheqës të Bashkimit Evropian.

Lajçak: Subtanciale takimet e fundit me Kurtin dhe Vuçiqin Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se ka biseduar në Slloveni si me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për “hapat e ardhshëm” në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. “Kam zhvilluar dy takime të ndara, të rëndësishme dhe substanciale me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, shkroi Lajçak në Twitter, duke mos shpalosur detaje të tjera. Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se me Lajçakun “u bisedua për takimet e kaluara të mbajtura në Bruksel si dhe përgatitjet për takimin e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. “Dialogu duhet të jetë i drejtë dhe parimor, në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve dhe paqes e sigurisë së qëndrueshme e të përgjithshme”, tha Kurti, duke mos bërë të ditur, të ketë pasur bisedime në forumin e Bledit me presidentin e Serbisë, Vuçiq.

Vuçiq kundër kërkesave të reja të Kosovës për pranim në organizata ndërkombëtare Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç duke folur për marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë në këtë fazë të dialogut, tha se Prishtina zyrtare “do të fillojë me kërkesa të reja për pranim në organizata ndërkombëtare, nisur nga INTERPOL-i, UNESCO-ja dhe Këshilli i Evropës. Kjo nismë e Kosovës sipas presidentit të Serbisë “shkel zbatimin e marrëveshjen e Uashingtonit dhe do të sjellë paqëndrueshmëri shtesë në rajon. Puna jonë është të përgatitemi dhe t’i përgjigjemi kësaj”, tha Vuçiq.

Më 4 shtator të vitit të shkuar, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e SHBA-së, arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike. Pikë e kësaj marrëveshje ishte një moratorium një vjeçar që “Kosova nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, ndërsa “Serbia do të hiqte dorë nga fushata për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës”. Ky moratorium skadon me 04.09 të këtij viti. Zyrtarë nga Ministria e Jashtme e Kosovës kanë njoftuar se janë duke u bërë përgatitje për aplikim në disa organizata ndërkombëtare, duke mos shpalosur detaje tjera rreth kësaj çështjeje.