Albin Kurti nuk tërhiqet për vendimin e reciprocitet ndaj Serbisë sa u përket targave të automjeteve, për të cilin këmbëngul se nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt. N ë takimin që pati me ambasadorët e vendeve të Quint-it: SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë, si dhe shefin e misionit të BE-së në Prishtinë, kryeministri i Kosovës e bëri të qartë qëndrimin e tij. “Tek reciprocitet i targave të përkohshme për makinat, Kosova dhe Serbia ose kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajnë ato lloje targash të dyja shtetet, ose le t’i heqin ato – edhe Kosova edhe Serbia”, tha Kurti në takim.
Në deklaratën e lëshuar nga zyra e tij nuk bëhet i ditur reagimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë, thotë REL. Në takim mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se policët e Kosovës janë “në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë”. Të hënën, Qeveria e Kosovës mori vendimin që drejtuesit e automjeteve nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës, dicka që Serbia e ka aplikuar prej më shumë se një dekade me makinat nga Kosova.