Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, i bëri apel sot sërish studentëve të vaksinohen.
“Shfrytëzojini këto ditë të mbetura të muajit të hapur të vaksinimit anticovid për të mbrojtur veten, shoqet dhe shokët në auditore dhe njerëzit tuaj të dashur”, – iu drejtua Manastirliu studentëve.
Në të gjitha universitetet publike dhe jopublike në vend, ka nisur vaksinimi për pedagogë e studentë, për të rritur aksesin në vaksinim, për mbrojtjen e tyre dhe për mbarëvajtjen e vitit të ri akademik.
“Duhet që brenda datës 11 tetor kur është dhe fillimi i vitit akademik të kemi një përqindje të lartë të studentëve të cilët vaksinohen dhe që praktikisht do të jenë në auditore për të filluar mësimin”, ka theksuar më herët Manastirliu.
Krahas pikave të përqendruar dhe qendrave shëndetësore vaksinimi po vijon në çdo universitet të vendit. Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria buzëqesh” janë kryer 1,665,590 vaksinime në gjithë vendin.