Moderatorja me një postim së fundmi na ka treguar se do të jetë ajo që do të drejtojë emisionin, teksa postoi foto me fituesit nga “Big Brother 1” e në vijm. Më pas, ajo ka zhvilluar një bashkëbisedim me ndjekësit, ku ata kanë bërë pyetje rreth formatiit që do të fillojë së shpejti. “Sa do të jetë çmimi i madh këtë vit”, e pyeste një ndjekës, ndërsa Arbana përgjigjet: “Çmimi i madh në Big Brother do të jetë 100.000 euro”.

Arbana Osmani konfirmoi vetë në rrjetet sociale se do jetë moderatorja e “Big Brother VIP” përmes një rrëfimi emocionues, ndonëse në media ishte zbuluar prej kohësh se formati i ishte besuar asaj sërish. Teksa kurioziteti rreth programit që rikthehet pas 4 vitesh është i madh, përmes një interviste virtuale në “Instastory”, ajo u është përgjigjur edhe disa prej pyetjeve në lidhje me realizimin dhe për konceptin e tij. Arbana ka zbuluar se “reality show” do të nisë në tetor në “Top Channel” dhe “Digitalb” dhe ndryshe nga më parë do jenë dy spektakle të javë, ndërsa çmimi i madh do të jetë 100 000 euro, siç u përmend më sipër.  E pyetur rreth opinionistit, ajo nuk ka zbuluar emër, por ka thënë se do jetë dikush që përfaqëson më së miri opinionin e publikut. Ndërsa nëse do jetë pjesëmarrës ndonjë nga emrat e lakuar në media, Arbana refuzon të japë përgjigje. “Big Brother VIP është format ndërkombetar dhe produksioni shqiptar do të ndjekë linjat që ndjekin produksionet e ngjashme kudo në perëndim. Që domethënë kasti do të zbulohet në një datë të caktuar dhe jo tani”, tha ajo.

Po kurioziteti më i madh deri tani lidhet me protagonistët, pra, personazhet e njohur që do të marrin pjesë. Kështu, pas përfoljes se mund të jenë pjesë e showt, Hygerta Sako, Valbona Mema e Vesel Kurtishaj, këto ditë janë lakuar dhe dy emra të tjera, që janë pikërisht mikesha e saj e ngushtë Xhemi Shehu dhe këngëtarja që flitet se është fejuar në Austri, Greta Koçi. Emri i Xhemit u lakua pas një postimi të Arbanës. Në postimin që bëri Arbana, ku tregoi emocionet ndër vite, por dhe momentin e parë kur Tani Hoxha i besoi “Big Brother 1”, komentoi dhe Xhemi. “Mezi po pres të na vëzhgosh pak”, ka komentuar Xhemi poshtë postimit të Arbanës dhe kaq është dashur që fansat të fillojnë me dyshimet se ajo mund të jetë një nga konkurrentet VIP të reality-show.

Ndërsa aludimeve për Gretën, këngëtarja u ka dhënë vetë përgjigje. Mes shumë emrave që janë lakuar se mund të jenë pjesëmarrës në këtë “reality show”, ka qenë edhe ai i këngëtares Greta Koçi, e cila së fundmi ka thyer heshtjen dhe ka dhënë një përgjigje për të gjithë. E pyetur nga ndjekësit e saj në “Instastory” nëse do të jetë pjesë e “Big Brother Vip”, Greta ka dhënë një përgjigje të prerë duke thënë thjesht “Jo”, që nënkupton se mund të ketë marrë një ftesë nga produksioni, por që për arsyet e saj nuk mund ta ketë pranuar. Por përveç vajzave të njohura, vetë Arbana ka ngjallur dyshime me postimin e një fotoje, për pjesëmarrjen e një djali në këtë program. Ajo ka takuar dhe shkrepur një foto me aktorin shqiptar që jeton në Itali, Antonio, i cili në “Instagram” njihet me emrin Antonio Kowdrin. “Kafe mëngjesi me Antonio Banderasin tonë!”, shkruan Arbana poshtë fotos me aktorin, i cili ka qenë pjesë e kastit të një prej filmave të partnerit të saj, Eduart Grishaj.

Kaq u desh që ndjekësit e Arbanës të mendojnë se aktori do të jetë pjesë e “Big Brother VIP”. Tashmë resorti i VIP-ave është gati dhe të gjithë presin se ç’do të ndodhë mes të famshmëve në 100 ditë izolim para kamerave. Le të shohim si do të jetë ky “Big Brother Vip” që nuk do të presë kësaj here “banorë të zakonshëm”, por personazhe publike, që ne i shohim shpesh në rrjetet sociale dhe televizion e të cilët do të sfidojnë veten dhe njëri-tjetrin, duke jetuar në izolim për 100 ditë. Vetë televizioni e publikoi spotin e këtij projekti para tri vitesh. Ky spot zbuloi dhe filozofinë apo formulën e showt, që pas një dekade eksperiencë me protagonistë njerëz të zakonshëm, për herë të parë do të ketë si banorë personazhe të famshëm të “showbiz”-it, që bëjnë karrierë në fusha të ndryshme. Në spotin në fjalë kuptohej ideja e këtij formati nëpërmjet pyetjeve që ngrihen, e secila ka përfaqësuesin VIP që mbart një histori personale.

“Të përndiqesh nga portalet! Të bësh selfie me fansat! Të dobësohesh me palestër! Të parakalosh në tapet të kuq! Të dobësohesh me ndihmën e doktorit! Të marrësh vesh dallaveret e fundit! Të bësh thonjtë! Të zgjedhësh madhësinë e gjoksit! Të frysh buzët pa rënë në sy!… Të bësh prapë thonjtë! Të gjesh paruken e duhur! Të fshish komentet e ‘hate’-ërsve! Të shpikësh një emër për beben e re! Të xhirosh gomat aty ku nuk lejohet! Të kërkosh falje publike! Është e vështirë, të jesh një VIP! Ata meritojnë që të çlodhen! E ku është resorti i VIP-ave?! “Big Brother Vip”… Së shpejti vetëm në ‘Top Channel’”, janë frazat e shkëputura nga ky spot i plot tre vjetëve më parë e që mbeten të njëjtat. Mbetet për t’u parë se cilët do të jenë emrat e njohur që do të pranojnë të bashkëjetojnë me miqtë apo rivalët e tyre e për më tepër që do të rrëfejnë jetën personale, apo dhe të njihen apo dashurohen në këtë shtëpi. /Panoramaplus.al