Kryeministri Edi Rama u shpreh se “sot Shqipëria është një nga eksportuesit me të mëdhenj të perimeve në Ballkanin Perëndimor dhe zë vendin e dytë për eksportimin e frutave”. Gjatë falës së tij sot në Kuvend, Rama theksoi se, “synojmë t’i çojmë eksportet bujqësore në 1 miliard USD”. “Kemi një plan konkret, që do fillojë të vihet frontalisht në veprim që në 300 ditët e para të mandatit të ri. Në këtë plan synojmë më shumë garanci cilësie të inputeve bujqësore më shumë infrastrukturë moderne grumbullimi, më shumë incentiva për grupimet bujqësore, më shumë transferime dijesh, trajnime, informacion dhe ndërveprim mes institucioneve dhe sipërmarrjeve në fshat”, tha Rama.

Rama veçoi në këtë plan, transformimin e mëtejshëm të Universitetit Bujqësor të Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me një nga ekselencat evropiane në arsimin e lartë për zhvillimin rural, me Universitetin “Boku” të Vjenës. “Synimi ynë është t’i kthejmë shkëlqimin UBT-së, në një qendër të përparuar të dijet kombëtare, në funksion të zhvillimit bujqësor dhe rural”, tha ai, teksa u ndal në kapitullin e agroturizmit si një degë krejtësisht të munguar me dekada.

“E kemi hapur rrugën e agroturizmit gjatë mandatit të dytë dhe në këtë mandat duam ta çojmë më tutje me investime më të konsiderueshme private të mbështetura në forma të ndryshme nga qeveria, në të gjithë territorin rural te vendit”, u shpreh Rama. “Do të hapin një kapitull të ri në fushën e sigurisë ushqimore. Kemi bërë përparime, duke u nisur nga një prapambetje shumë e thellë ku tetë vite më parë gjëja e gjallë therej në rrugën ku kalonte makina dhe gjaku përplasej në xhamat e makinave. Synojmë të vijojmë të përparojmë”, theksoi Rama.