Nga Ylli Pata
Tashmë Edi Rama e ka shpallur qeverinë e tij, e cila dukshëm është politike dhe përfaqësuese e mazhorancës. Me këtë shpallje ra një “mit” i krijuar gjithë këto kohë për konspiracionin e bashkëqeverisjes, që lobe pranë Sali Berishës, mundoheshin të gjenin në qëndrimet e Ramës, e sidomos në deklaratat e ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim. Në daljen e parë pas shpalljes së qeverisë te Fevziu, u duk realisht një epokë e re, ku pati mjaft pyetje, natyrisht edhe komente, por jo ato batutat famëkeqe të viteve më parë që degradonin emisionet e darkës.Fevziu, por edhe gazetarët, u dukën një panel i organizuar nga Bruno Vespa, ku më shumë sesa sherri, matej batuta për të mos ngrënë shumë kohë për publikun.
Ishte realisht një zhvillim i ri, për të cilin edhe Fevziu tha se kjo mënyrë e re është frut i një studimi të audiencës. Por në atë emision, pati zhvillime të rëndësishme nga ana politike, ku Kryeministri Edi Rama, ka dhënë qëndrime të qarta politikisht, edhe pse një sy e vesh i vëmendshëm i shikonte ata si një vijim i qëndrimeve të fushatës.
Duke përkthyer logjikën e bashkëpunimit me opozitën e Lulzim Bashës, natyrisht edhe i nxitur nga pyetjet, Edi Rama tha qartë se është i gatshëm të diskutonte me opozitën që nga ndarja territoriale e administrative e vendit, deri edhe ndryshimet e sistemit politik e zgjedhor. Ndërkaq, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, vetë Lulzim Basha foli për një reformë kushtetuese në vend, që më pas u përforcua edhe nga një koment i Artan Hoxhës, për të reformuar sistemin kushtetues të 2008-ës.
Më në fund, duket se ka një horizont më të pastër e pa re, ku politika mund të shikojë vizionin e një reformimi si të shtetit, por edhe të politikës në përgjithësi. E këtu, Partia Demokratike ka mundësinë, që të japë atë vizion që ajo shikon në këtë drejtim. Edi Rama, e dha versionin e vet në vija të trasha, që mazhoranca nuk shikon në rikthimin e komunave si zgjidhje, por ka deklaruar se ai është madje në reduktimin e 61 bashkive aktuale. Deri tani opozita, e ka konsideruar ndarjen e sotme administrative si një atu e mazhorancës për të siguruar fitoren e saj. Argumentet nuk se bindin, pasi nuk ka pasur propozime, por vetëm kundërshtime.
Sistemi i sotëm administrativ i 61 bashkive, nuk se ka qenë perfekt, madje ende nuk ka hyrë tamam në funksionimin e tij, pasi ka pasur probleme e çështje që kanë sjellë domosdoshmërinë e ndryshimeve ligjore, por një shtim i hallkave të pushtetit, siç ka qenë dikur me komuna, qarqe apo rrethe, shton një administratë që del më shumë skiç në funksionim. Edhe sot, përveç bashkive, kemi këshilla qarqesh e prefekturash, që më shumë kanë administratë, sesa një strukturë efikase. Një reformë reale për të përmirësuar pushtetin vendor do të ishte e domosdoshme. Vendet e ngjashme me Shqipërinë në rajon që janë të vogla relativisht, si Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, etj kanë një ndarje administrative të thjeshtë. Vendi përbëhet nga Kryeqyteti, dhe komunat e tjera. Të cilat përfshijnë ndarjen administrative të qyteteve së bashku me rrethinat. Në Mal të Zi, Podgorica qyhet kryeqytet, e që ka një status të veçantë, të ngjashëm me atë italian të “Roma Capitale” e të tjerat që ndahen në komuna. Ashtu është edhe në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Kosovë. Bosnja më pas ka një ndarje tjetër sepse është e kantonizuar.
Kjo është një ndarje e thjeshtë që duket se ngjan me atë që Shqipëria ka aktualisht. Por gjithsesi publiku do të duhet të dëgjojë si është qëndrimi i Partisë Demokratike. E cila siç deklaroi Basha, pritet së shpejti të japë vizionin e vet edhe për ndryshimet Kushtetuese. Por këtu do të duhet të ketë një qëndrim të qartë, madje shumë të qartë të opozitës për drejtësinë, reformën që ata votuan në 2016-n dhe institucionet që janë krijuar tashmë. Nuk mundet që ne te kemi një drejtësi që pëlqehet kur heton njerëz të PS-së dhe kontestohet kur e bën këtë me njerëz të opozitës. Duhet një qëndrim përfundimtar, i cili do ta shpëtonte publikun nga kurthet e përplasjeve të kota se kush është më hajdut e kush është më tradhëtar. Le ta vendosin këtë institucionet e drejtësisë. E nëse PD ka një ide që duhet plotësuar apo zhvilluar Prokuroria Speciale apo edhe Gjykata Speciale, le ta thotë.
E natyisht dy nga pjesët më delikate ku opozita duhet të flasë natyrisht janë edhe çështja e votës së emigrantëve aty ku jetojnë dhe e rolit të Presidentit. Duke e vendosur njëherë e mirë, e të mos presin që ta marrin këtë vendim në bazë të një situate të caktuar, ku natyrisht tensioni mund të çojë në një negociatë, e në përfundim të vijmë në një 5 shtator, ku sërish të kemi administrim të votës nga numëruesit e partive. Një President jashtë partiak dhe ekuilibruar? Le të forcohen kriteret dhe një ligj i ri për kreun e shtetit, i cili të miratohet me konsensus. Këto janë vetëm disa nga piketat, por natyrisht ka edhe të tjera. Mjafton që ky debat të ndahet nga çështjet ekstra siç është vendimi i DASH për Berishën. Për të cilin PD, do të duhet të shprehet sa më shpejt… TemA