Nga Alfred Peza
Vendimi i Lulzim Bashës për ta përjashtuar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD, për shkak të shpalljes së tij “non grata” nga SHBA, ka vendosur përballë njëra tjetrës dy botë politike brenda opozitës. Dy kultura. Dy mendësi. Dy mentalitete. Ato përfaqësohen tashmë, nga dy tifogrupe, që kanë nisur të përleshen me njëra tjetrën. A thua se rezultati i kësaj lufte finale brenda PD, do të vendoset prej tyre dhe jo prej dy ekipeve në lojë.
Kush e njeh sadopak teknikën e debatit publik, e kupton që larg me një shikim, se këtu nuk kemi të bëjmë me një përleshje rastësore. Kemi të bëjmë me një skenar të ri diabolik, të nxitur nga një dorë djallëzore, që kërkon të ushqejë zemërimin e turmave përmes nxitjes së emocioneve negative. Ndaj po u hedhin me shumicë copëza morali në ajër, për ta orientuar debatin drejt skuthllikut njerëzor të Lulzim Bashës dhe jo drejt thelbit politik të vendimit të tij.
Kjo bën që një pjesë e shoqërisë të nisë e ta shohi Sali Berishën, jo më si të akuzuarin e vetëm të kësaj historie, por si akuzesin e madh të Lulzim Bashës. Njeriu që deri dje ishte pengesë për ecjen përpara të PD dhe opozitës, ka nisur të shihet si një baba që është nxjerrë tinëzisht dhe padrejtësisht nga shtëpia, prej djalit të tij politik mosmirënjohës. Duke e zhvendosur kësisoj debatin, nga rrafshi politik, në atë moral. Ndaj Sali Berisha ka prirjen që të shihet nga disa, jo më si fajtor, por si viktimë.
Në momentin që Sali Berisha do të vishet me kostumin e viktimës, është e sigurtë se ai do ta fitojë edhe këtë përballje titanësh, brenda PD. Sepse viktimizimi është rruga më e shkurtër dhe e sigurtë, për rehabilitimin e një njeriu, nga bashkësia. E në momentin që ai rehabilitohet prej saj, është vetëm çështje kohe që të rehabilitohet më pas edhe moralisht, edhe politikisht nga shoqëria. E për rrjedhojë, Sali Berisha do ia dilte, që të fitonte statusin e martirit brenda PD dhe të të persektuarit politik, në shoqëri.
Rënia në këtë kurth, e orienton debatin drejt një shtegu shumë të rrezikshëm, që të nxjerr në lëndinën e kulturës së mosndëshkueshmërisë. Një kulturë e mbjellë, ushqyer e ngritur në sistem përmes drejtësisë së vjetër, nga Sali Berisha. Rehabilitimi i tij në kushtet kur duhet të kishte dalë nga politika që në vitin 2013, pasi e deklaroi vetë publikisht, do të ishte një vetvrasje e sistemit demokratik në Shqipëri dhe mënyrës së funksionimit të pluralizmit, përmes ligjit të pashkruar të rrotacionit të elitave politike.
E vetmja çështje e shtruar për zgjidhje sot, si nga faktori i brendshëm ashtu edhe ai ndërkombëtar, është një dhe vetëm një: A duhet të iki Sali Berisha nga Grupi Parlamentar i PD, pas futjes së tij në listën e zezë të SHBA, apo jo? Ky është i vetmi debat real që ekziston sot. Nëse jeni pro ikjes së Sali Berishës, secili të gjejë, të japë dhe të mbrojë argumentat e tij. Nëse jeni kundër largimit të Sali Berishës, atëherë duhen gjetur e dhënë për këtë, vetëm argumentat politike. Kjo është çështja.
Çdo përpjekje, çdo tentativë dhe çdo spekullim për ti ikur thelbit të këtij debati, është ose i qëllimshëm për ta devijuar atë. Ose ai të fut me ose pa dashje, në vorbullën e spekullimit, prej nga nuk del dot më kurrë askush. I vetmi përfitues i saj, në fund të fundit, do të ishte Sali Berisha. Ndaj ky debat nuk ka të bëjë fare as me dobësitë njerëzore të Lulzim Bashës, as me përfitimet politike të Edi Ramës, as me teoritë konspirative me armiq të jashtëm dhe as me mitet e rreme që rreken ta mbështjellin vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Ky debat ka të bëjë vetëm me përgjigjen e pyetjes, në formën e një referendumi popullor, brenda PD: A duhet të iki Sali Berisha? Po ose Jo. Nëse PO, pse? Dhe nëse JO, pse? Kaq. Është vetë PD që duhet ta zgjidhi këtë dilemë, për të mirën e ardhmërisë së saj, tani. Demokratët kanë 8 vjet që po gënjehen prej tij, që atëherë kur u tha se do iki në shtëpi duke dalë nga porta, ndërsa tani panë se u paska hyrë nga oxhaku. E si të mos mjaftonte kjo, po kërkon që ti nxjerrë të gjithë jashtë, edhe sikur të mbetet i vetem brenda shtëpisë së tyre të përbashkët politike.
Ndaj largimi i Sali Berishës, nuk është një tekë e Lulzim Bashës sepse po të ishte për të, ai gjithë jetën do ta mbante me dëshirë në kurriz. Kjo është një çështje e shtruar për zgjidhje, për të mirën e vetë opozitarëve, nëse ata duan që të rikthehen një ditë në pushtet. E sigurtë tashmë është vetëm një gjë, se sa më shpejt që ta largojnë Sali Berishën nga PD, aq më shpejt do ia arrijnë asaj dite.
Këtë nuk e thotë një socialist. Këtë e kanë thënë shqiptarët me vote; edhe më 2017, edhe më 2019, edhe tani më 25 prill 2021. Nëse doni ta mbani Sali Berishën ende brenda PD, mbajeni deri në vdekje, aq më mirë për PS. Sepse 8 vjet kanë mjaftuar për të kuptuar, se kjo është mënyra më e sigurtë, që mazhoranca të fitojë sa herë që të ketë votime në Shqipëri.