Nga Alfred Peza
Sa më shumë orë e ditë që po kalojnë nga vendimi i Lulzim Bashës për ta larguar nga Grupi Parlamentar i PD, për shkak të shpalljes “non grata” nga SHBA, aq më shpejt po ndodh në sytë e publikut procesi i vjetërimit politik të Sali Berishës. Lideri i dikurshëm karizmatik që ngrinte peshë turmat e demokratëve, maksimizonte audiencat mediatike dhe befasonte në çdo hap kundërshtarët, ka nisur të bëhet i parashikueshëm. E për rrjedhojë, i zakonshëm. Monoton. I mërzitshëm. Me pak fjalë, një politikan “old fashioned”. Duke njohur karakterin e tij të llojit “komunistët nuk dorëzohen”, është e sigurtë se edhe për disa kohë, do ta shihni çdo natë live nëpër ekrantet televizive. Duke përsëritur veten dhe artikuluar teza, alibi e fraza çdo herë e më të rëndomta. Për rrjedhojë gjithmonë e më pak do befasohen nga diskursi i tij publik. Pakkush do i dëgjojë deklaratat e tij, me gojën hapur si dikur. Sepse askush nuk magjepset më nga sharmi i tij i dalë mode dhe batutat e tij të dala boje.
Sa më shumë që tu dali përpara, aq më keq do të jetë për Sali Berishën dhe aq më mirë për shqiptarët. Sepse sa më shumë që po e hap gojën këto kohë, aq më shumë po i bie aureola, po i zbardhet misteri dhe po i humbet fuqinë doza e magjisë që e bënin dikur, atë liderin sharmant që elektrizonte turmat. Ai që deri dje ishte një nga njerëzit më me ndikim në jetën publike shqiptare, është shndërruar në një nga ato të paktët, që po e hap gojën çdo herë e më shpesh kur nuk ka më asgjë të re për të thënë. Sali Berisha duket tani në sy të gjithkujt, një politikan jo vetëm i lodhur, por edhe i vjetëruar. Jo edhe aq për shkak të moshës biologjike, sesa për shkak të qasjes publike. Duke u shndërruar nga simboli i dikurshëm i shkëlqimit dhe suksesit politik, në modelin e liderit të dalë mode, që sa vjen e po mer trajtën e një “antikuari politik”. Duke rrezikuar që të shndërrohet shpejt në një gërmadhë, që zë poshtë trashëgiminë e vet, e cila në rrethana të tjera do të mund të mbijetonte.
As aktiviteti prej adoleshenti në facebook, as përrenjtë e “qytetarit digjital” dhe as përballja me gazetarë e analistë nëpër studiot televizive plot shkëlqim hi tech, nuk ia fshehin dot dukjen prej një lideri të shekullit të kaluar. E për këtë, më shumë se kushdo tjetër, po ndihmon vetë Sali Berisha. Për aq kohë sa të gjitha referencat, kujtimet, ripostimet dhe artikulimet i ka nga Shqipëria e viteve të para të postkomunizmit. Nga Shqipëria e para trokitjes së mijëvjeçarit të ri, atëherë kur ai jetoi, edhe apogjeun e tij politik. Aq shumë e ka humbur sensin e kohës, sa Sali Berisha po i tregon shqiptarëve të dekadës së tretë të shekullit XXI, kujtimet prej lideri të viteve ’90. Herë për të na mbushur mendjen se është më pro amerikan se Antony Blinken e Joe Biden që e futën në listën e zezë. Herë për të kërcënuar, përmes mitingjesh kur këndoheshin këngë me rrëmbime armësh dhe thirrjet ja vdekje ja liri. Herë duke bërë ciceronin e takimeve të dikurshme me njerëzit më të mëdhenj të planetit, të cilët prej dekadash kanë dalë në pension, përveç atij vetë që nuk do që nuk do të largohet nga skena e madhe sa të jetë gjallë. Është e dhimbshme për çdo demokrat besoj kur e sheh liderin e vet historik, duke belbëzuar kundër Lulzim Bashës, të njëjtat akuza që gjithë ata që ai vetë i përzuri për 30 vjet me radhë nga PD, përdorën kundër tij. E çështë edhe më therësja, Sali Berisha po përdor jo vetëm të njëjtin fjalor, por edhe të njëjtat shprehje, të njëjtat argumenta e të njëjtat thënie të armiqve të tij të panumërt. Teksa ka rënë në këtë pozitë, nis dhe e sheh po me të njëjtën ndjesi, që pas 1990 ne pamë ish anëtarët e Byrosë Politike teksa zbarriteshin vjedhurazi rrugëve të Tiranës.
Sa më shumë që të vijojë kësisoj, aq më shumë do ta bjerri pa u ndalur, imazhin e tij përballë shqiptarëve. Sali Berisha i ngjan sot atij personazhit të filmave të një epoke të shkuar, që i vidhet sheshxhirimit duke dashur të përzihet me jetën aktuale të njerëzve të qytetit, që nxitojnë drejt së ardhmes. Ai nuk diti të ishte në sinkron me kohën e tij politike, për të dalë në momentin e duhur prej saj, derisa historia të thoshte fjalën e vet. Sali Berisha i dogji etapat, rregullat dhe normat e pluralizmit politik, derisa e detyroi sistemin që ta nxirrte tashtë me dhunë. Ndërkohë që treni i kohës ecën pa u ndalur, në rrugën drejt stacionit politik të radhës, ai vazhdon ta tërheqë nga pas duke dashur ta ndali. Sa ishte i ri, ia doli ta bënte njëherë, në vitin 1997. Ka kaluar çerek shekulli nga atëherë, ndaj Sali Berisha i sotëm na duket po ai lideri i shekullit të kaluar, por në një Shqipëri krejt tjetër!