Lagja e re qendrore e qytetit të Laçit, financuar nga qeveria turke do të jetë gati në fund të muajit shtator.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot me ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj kantierin e ndërtimit të kësaj lagje.

” Mbresëlënëse puna e madhe që po shkon drejt fundit, për lagjen e re qendrore të qytetit pas tërmetit, me 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, shkollën, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë me standarde urbane të cilësisë së parë. Krahas lagjes së re, vijon puna për rindërtimin e godinës së Bashkisë, banesat individuale dhe përforcimet e pallateve DS4″, shkruan Rama.

Ndërkohë ministri Ahmetaj shpjegoi se ndarja e apartamenteve për qytetarët do të bëhet fillimisht me prioritete, ndërsa do të ketë edhe një short publik.

“Familjet me prioitet, ato me ndihmë ekonomnike pastaj strehimi i nënave të vetme, apo familjeve të punonjësve të shtetit, policëve të rënë në detyrë, pastaj shorti publik për ndarjen e apartamenteve, se ku i bie domethënë”.

Kryebashkiakja tha se punonjësit e Bashkisë së Laçit, “po mbyllim procedura ligjore të marrjes në dorëzim të objekteve nga pala turke, po rakordojmë dokumentacionin ligjor. Sipas kompsnisë turke në fund të shtatorit dorëzohet i gjithë kantieri”.

“Atë që ke bërë ti për këtë qytet s’e ka bo asnjë krytar bashkie për asnjë qytet sot”, iu drejtua Rama kryetares së Bashkisë së Laçit, Majlinda Cara, teksa i dha edhe porositë:

“Tani Majlinda duhet ngrit urgjentisht një ekip menaxhimi, duhet të ketë admnistrator zona se ndryshe… duhen vendos njerëzit për pastrimin e administrimin e zonës”.