Mëngjesi i së martës e ka gjetur të bllokuar rrugën në pikën kufitare në Jarinjë , me forcat e policisë së Kosovës të cilat kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë natës pas protestave lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për masë reciprociteti për targat e veturave të regjistruara në Serbi, që hyjnë në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 shtator nga Kuvendi i Kosovës, se ky vendim nuk është marrë me dëshirë të Kosovës, por është imponuar nga “pala tjetër”, për faktin se Serbia nuk pranoi që kjo marrëveshje të diskutohej në Bruksel dhe për faktin se pala kosovare duhet të bëj të njëjtën gjë sapo kalon kufirin për në Serbi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç I cili ditën e sotme do të mbledhë edhe Këshillin Kombëtar të sigurisë ka deklaruar ditën e djeshme se autoritetet në Prishtinë po demonstronin forcë dhe se ata kishin interpretuar sipas dëshirës së tyre Marrëveshjen e Brukselit kur njoftuan për zbatimin e reciprocitetit për targat e automjeteve. Vuçiç e ka përshkruar situatën në Kosovë si “një nga ditët më të vështira për popullin serb në Kosovë”.
Menjëherë ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ka deklaruar se vendimi për reciprocitet në çështjen e targave të automjeteve me Serbinë është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.
“Asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të jetësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me obligimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie”, ka thënë Osmani në një postim në rrjetin social Facebook.
Por, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, si shenjë pakënaqësie edhe më 20 shtator, kur ka nisur të zbatohet kjo masë. Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikë kalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhama para dhe prapa. Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.