Vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, midis Kosovës dhe Serbisë për të katërtën ditë vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Qytetarët serbë të pakënaqur me vendimin e qeverisë së Kosovës për Reciprocitetin e targave, në shenjë proteste kanë mbyllur kalimet, duke bllokuar lëvizjen në të dy anët e kufirit.
Qytetarët serbë kanë qëndruar sërish tërë natën të mbledhur rreth zjarrit ose në tenda të improvizuara dhe përfaqësuesit politikë nga veriu i Kosovës janë me ta.
Bllokada tanimë ka arritur në rreth tre kilometra e gjatë dhe mbrëmjen e djeshme në zonë u dërguan edhe më shumë kamionë për të bllokuar trafikun.
Qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikave kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, në shenjë pakënaqësie.
Në një kohë kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti premton heqjen dorë nga një masë e tillë sa kohë Serbia do të marrë të njëjtën masë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç shpreh se nuk do të ketë qetësim të situatës nëse nuk do të ketë rikthim në gjendjen e para 20 shtatorit.
Presidenti serb theksoi se nuk do të ketë vazhdim të dialogut ndërsa snajperë dhe armë janë drejtuar tek njerëzit tanë të paarmatosur në veri të Kosovës edhe pasi shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian iu bashkua thirrjeve për dialog të mërkurën.