Kryeministri Edi Rama ishte sot në Bazën Ajrore Farkë, për t’i shprehur mirënjohje të gjithë atyre që mbrojtën jetët dhe vendin nga muaji i zjarreve. Teksa i falënderoi ata për punën e bërë, Rama kërkoi nga Gjykatësit që të japin dënimin e merituar për çdo zjarrvënës, pasi sipas tij, ata meritojnë të kalben pas hekurave.
Rama: Më vjen mirë që Policia ka pasur aktivitet jo vetëm intensiv, por edhe rezultativ. Ka çuar pas hekurave një numër jo të vogël barbarësh, që nuk meritojnë të jenë të lirë mes kominiteteve dhe qytetarëve të këtij vendi. Meritojnë të kalben prapa hekurave. Shpresoj që Gjykatat do japin vendimet e duhura dhe gjykatësit që do i japin ato të jenë në lartësinë e dhimbjes për kaq shumë vlera natyrore të dëmtuara dhe kaq shumë pemë, burime jete të shkatërruara. Nuk janë pasuria e askujt individualisht ato janë pasuria e të gjithëve bashkë dhe thesari që ne e kemi detyrimin ta shtojmë dhe t’ia lëmë fëmijëve tanë dhe fëmijëve të Gjykatësve. Kështu që ky është një vendim që Gjykatësit do e japin për fëmijët e tyre.