“Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është në ëndrrat e mia, aspiratën time, por jo të jem unë në krye. Kam plane të tjera”. Kjo deklaratë e bërë nga kryeministri Edi Rama gjatë emisionit “Zonë e Lirë” në Televizionin Klan ka ngjallur shqetësim jo vetëm në Beograd, por edhe tek aleatët e tyre rus. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka bërë të ditur se Moska e konsideron deklaratën e bërë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për bashkimin e vendit me Kosovën absolutisht të papranueshme.
“Ne e konsiderojmë deklaratën e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, mbi bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës si absolutisht të papranueshme. Promovimi i planeve të krijimit të “Shqipërisë së Madhe” bie ndesh me ashpër me dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB -së dhe minon stabilitetin në rajon.” Zakharova thekson se qëndrime të tilla nuk ndihmojnë as përpjekjet e Beogradit dhe as ato të Tiranës për krijimin e një tregu të përbashkët, në vazhdën e nismës “Ballkani i Hapur”, ndaj Rusia ka kthyer sytë nga perëndimi në pritje të një reagimi për deklaratën e bërë nga kryeministri Rama.
“Presim reagimin e duhur nga kujdestarët perëndimorë rreth projektit për ndërtimin e kombit të Kosovës, që është një provokim i pastër. Habitemi që u shpëtojmë këto deklarata ndërkohë që kritikojnë Beogradin në lidhje me konceptin humanitar të ‘botës serbe’, që është në përputhje dhe i justifikuar edhe nga ligji ndërkombëtar.” Një ditë më parë lidhur me këtë deklaratë reagoi edhe Ministri i Brendshëm serb, Aleksandër Vulin, i cili kërkoi nga Bashkimi Europian dhe institucionet e tjera ndërkombëtare që të dënojnë këto deklarata, të cilat sipas tij kanë si synim krijimin e Shqipërisë së Madhe. Sakaq Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë vizitës të dielën Në serbi ku u takua me Presidentin Aleksandër Vuçiç deklaroi se Rusia do të pranojë çdo zgjidhje që do i përshtatej Serbisë dhe popullit serb në lidhje me Kosovën, duke shtuar se ajo duhet të miratohet edhe nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Topchanel/