Ronald Koeman do të vazhdojë te Barça, pavarësisht nëse fiton në “Wanda Metropolitano” apo jo. Joan Laporta, president i klubit katalanas, ka “votëbesuar” hollandezin në këtë post, në një konferencë për shtyp para hotelit ku është grumbulluar ekipi i Barcelonës para transfertës në kryeqytet.
“Pavarësisht nga rezultati, Koeman do të mbetet trajner”, – tha Laporta për mediat. Kështu, ai mbron trajnerin para një ndeshjeje vitale për Barcelonën pas dështimit të Ligës së Kampionëve në “Da Luz”.
Argumenti i tij është besimi në një simbol që vendosi “të vërë bast” për klubin katalanas: “Koeman është referencë e barcelonizmit. Është njëri prej nesh. Është e nevojshme t’i jepet ende besim, sepse futbollistët e dëmtuar do të riaftësohen. Përveç kësaj, ai vendosi të jetë trajner i ekipit të parë në një kohë me vështirësi maksimale institucionale dhe sportive”.
Presidenti i klubit blaugrana është mbrojtur edhe ndaj atyre që thonë se ka një marrëdhënie të ftohtë me trajnerin: “Raporti ynë është i mirë dhe i sinqertë. Koeman është një person i mirë, ai mendon njësoj për mua. Ne të gjithë përpiqemi të përmirësojmë situatën në favor të Barcelonës”.