Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ishin sot në zonën ku do të ndërtohet hidrocentrali i Skavicës dhe ku ka nisur puna në terren për hartimin e projektit për këtë vepër kaq të rëndësishme për Shqipërinë. HEC Skavica është pjesa e katërt dhe e munguar e kaskadës së Drinit prej 50 vjetësh, e cila rrit sigurinë energjitike, rrit kapacitetet prodhuese dhe mbrojtjen nga përmbytjet, kontribuon ndjeshëm drejt transformimit të Shqipërisë në vend eksportues neto të energjisë elektrike. Balluku tha se HEC-i i Skavicës është një ëndërr e të gjithë shqiptarëve dhe sot jemi këtu të konkretizojmë atë që ka qenë thjesht një projekt apo ëndërr për shqiptarët.

Balluku tha se kjo nuk do të jetë vetëm një vepër e infrastrukturës kritike, por duke ndërtuar Skavicën në këtë zonë, ne kërkojmë të arrijmë disa parametra që kanë të bëjnë me sigurinë energjetike.

Sipas saj, siguria energjetike është thelb i këtij projekti të rëndësishëm. Shqipëria prej kohësh po mundohet të rrisë kapacitetet e tregut vendas duke u kthyer në vend eksportues i energjisë së rinovueshme dhe jo importues me çmime të larta që krijojnë probleme në buxhetin e shtetit, tha ajo.

Po ashtu, Balluku theksoi se ky është një projekt me impakt social. Zona ku do të ndërtohet do të marrë tërë vëmendjen dhe zhvillimin e infrastrukturës dhe do të ketë mundësi të tjera zhvillimi. Me përfundimin e këtij HEC-i fillon një epokë e re për zonën e Kukësit dhe Dibrës, pasi mund të zhvillohen nga ana turistike për shkak të infrastrukturës që do të ndërtohet në ndihmë të HEC-it, tha ajo.

Rrugët e aksesit që janë krijuar në ndihmë të projektit, sipas Ballukut janë sot të mirëpritura nga komuniteti. Imagjinoni se si do të jetë situata këtu në përfundim të kësaj vepre gjigande, një nga më të mëdhatë që kemi ndërtuar në Republikën e Shqipërisë, tha ajo.

Balluku theksoi se kompania ‘Bechtel’ është përzgjedhur për eksperiencën e saj për të trajtuar me kujdes impaktin social të infrastrukturave kritike gjatë ndërtimit dhe operimit të këtij HEC-i.

Jam e sigurt që gjithçka kemi adresuar, ata do ta përfshijnë në projekt. Detyra jonë është të mbajmë në kontakt të gjithë komunitetet që preken nga ky projekt kaq i rëndësishëm për të dëgjuar nevojat e tyre dhe për t’i akomoduar deri në përfundim të projektit, nga shpronësimi dhe deri te sistemimi i tyre i mëtejshëm, tha Balluku.