Në qytetin e Elbasanit, Sali Berisha ka thënë para demokratëve se ka bërë gabimin më të madh që ai ka mbështetur Bashën për 8 vite me radhe dhe i kërkon falje të gjithëve.

Berisha shprehet se Basha është një njeri që sipas librave të shenjtë as nuk duhet të lindte dhe se i premton të gjithëve që do bëjë gjithçka për të rikthyer vlerat dhe që demokratët të zgjedhin atë që duan.

“Kërkoj ndjesë para jush sërish sepse unë në këto 8 vite si njeri i betuar që nuk kthehem më ta themi të vërtetën, kam mbështetu publikisht një njeri që nuk po e marr në rrafshin njerëzor sepse po ta marrësh rrafshin njerëzor, në librat e shenjtë, ungjijtë thuhet që njerëzit si ai as nuk duhet të lindnin, i pabesi është fjala.

Por nuk e marr në këtë rrafsh fare. E marr në një qëndrim jashtëzakonisht të paimagjinueshëm ndaj vlerave që ne sollëm në Shqipëri. Që nga ’91-shi kemi sjellë votën e vërtetë, e lirë dhe sollëm liri, të drejtat njerëzore, interesin kombëtar. Kaq ishte partia liritë dhe të drejtat njerëzore, interesi kombëtar.

Po nuk ishte pak kjo se po të shkojmë bashkë tani në vitin ’90, ku është çështja kombëtare dhe ku është sot, ne duhet të ndihemi të lumtur sepse Kosova është e lirë, shqiptarët janë në një situatë tjetër, mirë po për fatin e keq, partia filloi të bjerë shumë, pikërisht në këto dy shtylla kryesore të saj. Unë e kam mbështetur në mënyrë absolute duke i thënë atij privatisht gjithçka dhe unë i kam të dokumentuara ato.

Nuk jam spontan unë, nga mëngjesi në darkë, mendoj dhe atë që mendoj e skicoj dhe unë kam çdo gjë të dokumentuar se çfarë i kam thënë. Por publikisht e kam mbështetur fuqimisht me shpresën që të ecim drejt fitores, në një kohë që ai kishte një axhendë tjetër që të lartësohej vetë. Po nuk lartësohesh vetë në qoftë se kryen akte, siç kreu ai në 2017.

Gabimi im më i madh në 2017 është se unë duhet të kisha ndërmarrë këtë projekt që kam marrë tani dhe ju siguroj që do ishim në pushtet dhe se Shqipëria do i kishte hapur negociatat, por kjo nuk ndodhi për çka unë kam përgjegjësi. Ju garantoj se unë do bëj gjithçka që të rikthejmë vlerat dhe që demokratët të zgjedhin atë që duan”, është shprehur Berisha./Java