Ministri i jashtëm i BE-së, Josep Borell ka biseduar në telefon me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i BE-së Peter Stano, i cili njoftoi se Borell i ka bërë thirrje liderëve që të vazhdojnë bisedimet dhe të dialogojnë për të shmangur situatat problematike sidomos ato të krijuara së fundmi në veri të Kosovës, pas aksioni anti-kontrabandë të zhvilluar nga Policia e Kosovës.
Gjithashtu, Stano deklaroi se përpjekjet e BE-së kanë për qëllim organizimin e një takimi të ri mes Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, së pari në nivelin e negociatorëve kryesorë dhe më pas në nivelin e udhëheqësve. Ndërsa lidhur me bisedimet midis Borell dhe sekretarit amerikan të shtetit Anthony Blinken në Uashington , Stano thekson se Borel ngriti çështjen e Ballkanit Perëndimor si edhe situatën në veri të Kosovës, duke njoftuar se të dy zyrtarët kishin të njëjtin qëndrim , atë të përparimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, shkruajnë mediat serbe.
“Borell dhe Blinken nënvizuan rëndësinë e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili ofrohet nga BE dhe mbështetet fuqishëm nga SHBA. Dialogu është i rëndësishëm në mënyrë që të zgjidhen çështjet e normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”, tha Stano.