Italia ka miratuar aplikimin e dozës së tretë të vaksinave kundër Covid-19 për persona mbi 60 vjeç dhe për njerëzit e brishtë dhe imunitete të dobët të të gjitha moshave. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë italiane, doza e tretë do të kryhet vetëm 6 muaj pas përmbylljes së ciklit të vaksinimit, ndërsa kushtet për të marrë këtë përforcues janë: sëmundjet e frymëmarrjes fibroza pulmonare idiopatike; sëmundjet e frymëmarrjes që kërkojnë terapi me oksigjen; sëmundjet kardiovaskulare, ato neurologjike, skleroza amiotrofike anësore dhe sëmundje të tjera.
Vendimi vjen kur ndërkohë ka ende 8.4 milionë italianë që nuk kanë marrë as dozën e parë të vaksinës kundër Covid, pasi vetëm 15.54% e popullsisë është e vaksinuar dhe pothuajse tre milionë italianë mbi pesëdhjetë vjeç mbeten në grupmoshën më kritike pasi nuk janë të imunizuar ende.
Aktualisht situata epidemike në Itali është “nën kontroll” dhe kurba e rasteve të Covid-19 vazhdon të ulet gradualisht, por Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Lartë i Shëndetësisë bëjnë thirrje për kujdes. Në këtë fazë është e nevojshme të mbahet një nivel i lartë i vëmendjes duke pasur parasysh rihapjen në progres dhe rritjen e kapaciteteve të parashikuara për sektorë të ndryshëm dhe vende publike.